Ka mbetur vetëm zyrtarizimi, por Antonio Konte do të jetë trajneri i ri i Interit. Leçezi është i njohur për skemën e tij 3-5-2 dhe nuk ka ndërmend të ndryshojë skemë e stil në Milanon zikaltër.
Diego Godin është afrimi i parë, ndërkohë që priten edhe emra të tjerë të mëdhenj në “San Siro”. Kieza i Fiorentinës, Lukaku i Junajtid, Xheko i Romës dhe Tomas i Atletikos së Madridit janë objektivat kryesorë dhe drejtuesit po punojnë për të mbyllur këto marrëveshje.
Në portë do vijojë si titullar Samir Handanoviç, edhe pse ka interes për Keilor Navasin e Realit. Treshja e mbrojtjes do të plotësohet nga Godin, Shkriniar dhe De Vrij. Krahët e mesfushës do të mbulohen nga Asamoah dhe Kieza, ndërsa në qendër do të vendoset treshja Naingolan-Brozoviç-Tomas.
Sulmi pritet të formohet nga dyshja Lautaro Martinez-Lukaku, ndërkohë që Politano dhe Edin Xheko do të jenë alternativat. I sigurt deri tani është reparti i portës dhe ai i mbrojtjes, ndërsa Marota dhe Auzilio po bëjnë maksimumin për t’i bërë dhuratat e para trajnerit të ri.
Interi i Kontes (3-5-2): Handanoviç; Godin-Shkriniar-De Vrij; Asamoah-Naingolan-Brozoviç-Tomas-Kieza; Martinez-Lukaku.