Champions League ka pronar dhe ai quhet Real Madrid. “Mbretërorët” e Spanjës kanë mundur 4-1 Juventusin në finalen e sotme, duke dominuar totalisht në pjesën e dytë të një sfide që pritej shumë më e ekuilibruar.
Pjesa e parë ishte në ekuilibër dhe Juventusi u paraqit shumë mirë, duke reaguar fuqishëm pas golit të Ronaldos në minutën e 20-të, sepse Manxhukiç shënoi një gol fenomenal, që do të mbetet në historinë e tij personale, por që nuk vlejti për Juven.
Në pjesën e dytë Reali u rrit ndjeshëm dhe Juventusi u tremb, duke lëshuar terren. Gabim i madh, sepse Kasemiro shënoi me fat (ndoshta gaboi edhe Bufoni) në minutën e 61-të dhe aty ndeshja mori fund. Juve u dorëzua dhe Ronaldo 3 minuta më pas vulosi fitoren, me italianët që e humbën tërësisht toruan.
Kuadrado doli me karton të kuq në minutën e 84-t, Asensio shënoi sërish në minutën e fundit të kohës së rregullt dhe e 12-ta shkon në Madrid.
“Zonja e Vjetër” mbyll me zhgënjim një sezon që gjithsesi mbetet i shkëlqyer, por Europa mbetet një makth dhe finalet e humbura po bëhen një barrë e padurueshme.
KUPA/LIGA E KAMPIONEVE
REAL MADRID!!!
1955–56 1956–57 1957–58 1958–59 1959–60 1965–66 1997–98 1999–2000 2001–02 2013–14 2015–16 2016-17
LIBRI I ARTË
12 – Real Madrid (14 finale);
7 – Milan (11);
5 – Bajern Mynih (10), Liverpul (7), Barcelona (8);
4 – Ajaks (6);
3 – Inter (5), Mançester United (5);
2 – Benfika (7), Juventus (9), Notingam Forest (2), Porto (2);
1 – Borusia Dortmund (2), Seltik (2), Hamburg(2); Steaua (2), Marsejë (2), Çelsi(2), Fejenord (1), Aston Vila (1), PSV (1), Crvena Zvezda (1).