Këshilltari i presidentit Demi thirri në një mbledhje drejtuesit e lartë të klubit. U diskutua për ecurinë, afrimet e janarit dhe mbështetësit e të kuqve
Fitorja me Kamzën dhe rishfaqi në skenë këshilltarin e presidentit Gaz Demi, Luçiano Moxhi, duket se italiani e ka taktikë këtë lëvizje. Ai kthehet në protagonist, edhe mediatike, sa herë ekipi i kuq fiton një ndeshje, s’ka rëndësi rezultati.
Luçiano Moxhi e pa fitoren me Kamzën së bashku me trajnerin e Partizanit, Sulejman Starovën. Ata shijuan të dy 3 pikët e para të vitit 2018. 80-vjeçari dhe 62-vjeçari pas përfundimit të ndeshjes u ulën në dhomat e zhveshjes të ekipit. Aty u lajmërua se do të kishte edhe një mbledhje mes drejtuesve që u zhvillua ditën e djeshme. “Sport Ekspres” mëson se italiani mblodhi stafin drejtues të klubit dhe stafin teknik për të diskutuar në lidhje me situatat e fundit që kanë përfshirë ekipin kryeqytetas. Moxhi i mëshoi disa çështjeve kryesore.
OBJEKTIVAT – Në mbledhjen e djeshme u diskutua edhe për vazhdimësinë e skuadrës. Fitorja me Kamzën riktheu disi qetësinë, ndërsa drejtuesit e klubit kërkojnë që të mos ndalen më. Italiani kërkon nga Starova dhe lojtarët të vazhdojnë punën me qetësi në mënyrë që të mos gabojnë sërish. Ndeshja e radhës kundër Laçit u cilësua si shumë e rrezikshme, por edhe si një mundësi për t’u rikonfirmuar, pasi luhet brenda përballë një kundërshtari direkt.
Kupa e Shqipërisë zuri vend në diskutimet e djeshme mes drejtuesve të klubit të kuq. Moxhi dhe Rama besojnë se skuadra mund të kthejë rezultatin kundër Flamurtarin dhe u munduan ta transmetojnë këtë optimizëm dhe te stafi teknik. Preiti ishte dakord, sigurisht, ai është dakord me çdo fjalë që thotë Moxhi.
AFRIMET E JANARIT – Të kuqtë janë të bindur se kanë bërë afrime të mira në merkaton e janarit. Ata besojnë te lojtarët e afruar dhe kanë thënë fjalë të mira për paraqitjen e disa prej tyre. Lukasi u vlerësua pas përformancës së bërë kundër Kamzës, por edhe i riu Mala që cilësohet si një surprizë e bukur. Paraqitja e Abdurahimit nuk ka lënë shije shumë të mira, por pritet adoptimi i tij me grupin dhe kapja e formës optimale. Ai nuk është ende gati. Me padurim për të kuqtë pritet edhe rikthimi i Edgar Çanit, pasi të gjithë drejtuesit ishin të mendimit, se me ardhjen e shtatlartit, skuadra do të bëhet më e frikshme. Dyshja Bardhi-Progni po mundohen të bëjnë mirë, por e vuajnë faktin që nuk janë në pozicionin e tyre natyral. Rasti i humbur nga 19-vjeçari i vetëm kundër Gjonikajt ishte treguesi më i mirë.
TIFOZËT – Një tjetër çështje e nxehtë që u diskutua në takimin e djeshëm ishte edhe largimi i tifozëve nga stadiumi. Moxhi u mësua me situatën nga Drejtori Olsi Rama dhe e kuptoi se pse Guerrilsat bojkotonin ndeshjet e Partizanit brenda në stadiumin “Selman Stërmasi”. Italiani kërkoi nga drejtuesit e klubit që të merreshin me këtë çështje dhe të mundohen që të rikthejnë sa më shpejt tifozët e kuq në stadium, pasi ai ja di rëndësinë tyre. Mbase mund të ketë paqe në horizont? Vështirë, por mund të ketë marrëveshje për “luftë të ftohtë”.