Nëse përmend Napolin të vjen ndërmend Diego Armando Maradona dhe e kundërta. Legjenda argjentinase luajti për shtatë sezone me Napolin dhe lidhja e tij me ekipin, qytetin dhe popullin napolitan është një nga historitë dhe emocionet më të bukura të futbollit.
Maradona është i fundit që i është bashkuar korit të njerëzve të futbollit, të cilët kanë shprehur solidaritetin dhe mbështetjen e tyre për Kalidu Kulibali, mbrojtësin e Napolit që ra pre e ofendimeve raciste nga ana e tifozëve të Interit.
“Kam luajtur shtatë vite me Napolin dhe jam ofenduar dhe unë me kore raciste nga disa tifozëri. I mbaj mend akoma pankartat ‘Mirë se të vish në Itali’. Ndihem edhe më shumë napolitan dhe sot dëshiroj të jem pranë Kulibali. Shpresoj që ky episod të shënojë një kthesë për të eliminuar njëherë e përgjithmonë racizmin nga futbolli. Ju përshëndes të gjithëve”, përfundon komenti i Diego Maradonës.