Kilian Mpabe është në rrugën e duhur. E thonë shifrat dhe ato nuk gënjejnë. Edhe pse ende nuk i ka mbushur 20 vjeç, sulmuesi francez numëron 56 gola të realizuar, trefish më shumë se Kristiano Ronaldo dhe Mesi. Në treg çmimi i tij është në stratosferë dhe të ardhmen e ka përpara. Argjentinasi i Barcelonës në moshën e Mbape kishte shënuar vetëm 14 gola, kurse portugezi një më pak.
Sigurisht duhet vazhdimësi, por emri i tij do të jetë krah të madhit Pele. Sulmuesi francez bëhet i dyti lojtar që shënon në një finale dhe që nuk i ka mbushur 20 vjeç. Rekordi absolut i takon legjendës së Brazilit, pasi në finalen e vitit 1958 shënoi dy herë në fitoren 5-1 të regjistruar me Suedinë. Pele të dytin e shënonte në minutën e 90-të dhe e ka mirëpritur francezin në “klub”.
Only the second teenager to have scored a goal in a #WorldCupFinal! Welcome to the club, @KMbappe – it's great to have some company! // O segundo adolescente a marcar um gol em uma final de #CopaDoMundo! Bem-vindo ao clube, Kylian – é ótimo ter a sua companhia! https://t.co/g8b2gLTy7B
— Pelé (@Pele) July 15, 2018
Mbape shënoi golin e katërt (65’) në fitoren 4-2 që Franca regjistroi me Kroacinë. Sulmuesi është kampion bote dhe i duhet që edhe në futbollin e klubeve të fitojë. Me PSG dështoi vjet, por mund t’ia dalë në të ardhmen. Ka edhe zgjidhje tjetër: të transferohet te Real Madrid dhe të bëhet “mbret” duke fituar Ligën e Kampioneve.
Tani sulmuesi kthehet në një kandidat serioz për të fituar “Topin e Artë”. Nëse kthehemi pas në kohë, Majkëll Ouen e ka marrë atë çmim në vitin 2001 me 24 gola të shënuar, ndërkohë që fitonte Kupën UEFA, FA Cup dhe Fotball League Cup. Mbape ka shënuar më shumë se “djaloshi i artë”, pasi numëron 25 gola këtë sezon, ndërkohë që është kampion bote. Duhet më shumë?