Franca mposhti Islandën 4-0 gjatë mbrëmjes së djeshme dhe u ngjit në vendin e parë në grupin H të eliminatoreve të Euro 2020. Fitorja e dytë në po kaq ndeshje për kampionët e botës në fuqi, të cilët bëjnë pjesë në një grup me Shqipërinë, Turqinë, Islandën, Moldavinë dhe Andorrën.
Blez Matuidi luajti gjatë gjithë ndeshjes, ndërsa pas saj është ndalur te situata e klubit të tij dhe dëmtimi i Kristiano Ronaldos në ndeshjen kundër Serbisë. Fitorja 3-0 kundër Atletikos, që mundësoi kualifikimin e kampionëve të Italisë në çerekfinale ka rritur besimin e ekipit. Tani është Ajaksi përballë, një kundërshtar që mesfushori 31-vjeçar e vlerëson shumë.
“Ndeshjet kundër Ajaksit do të jenë shumë të rëndësishme. Fitorja me Atletikon e Madridit na ka dhënë një shtysë të madhe për ndeshjet e radhës në Champions. Gjithsesi, do të jenë dy çerekfinale të komplikuara. CR7? E pashë që u dëmtua dhe shpresoj që të mos ketë asgjë. Kristiano është padyshim një futbollist shumë i rëndësishëm për ne. Tani duhet të rifitojmë energjitë për t’u përballur në mënyrën më të mirë të mundshme në ndeshjen e fundjavës në kampionat”, përfundon mesfushori i bardhezinjve.