Klaudio Markizio mbylli një kapitull 25-vjeçar me skuadrën e Juventusit. Mesfushori 32-vjeçar tanimë është një lojtar i ri dhe së shpejti do të vendosë se ku do të vazhdojë vitet që i kanë mbetur si futbollist profesionist. Gjatë orëve të fundit janë përmendur skuadra të shumta, por lajmi më interesant vjen nga “Gazzeta Dello Sport”.
Sipas së përditshmes italiane, Markizio, është pranë firmës me skuadrën e PSG-së në Francë. Dorëheqja nga futbolli e Tiago Motës, ka bërë që në mesfushën e parisienëve të ketë boshllëk të madh, pasi vetëm Lasana Diarra është opsioni i vetëm në rolin e mbajtur më parë nga italo-braziliani. Ish-juventini shikohet si një lojtar interesant që mund t’i hyjë në punë trajnerit Tuhel dhe mbi të gjitha ai ka kosto 0.
Mbetet për t’u parë se si do të shkojë kjo histori. Pista të tjera për lojtarin vijnë nga kampionati kinez dhe ai amerikan “MLS”. Por, një aventurë në Europë do t’i pëlqente më shumë italianit, i cili beson se mund të luajë të paktën edhe një sezon në një skuadër të nivele të larta.