Një ndër surprizat e listës së Roberto Mançinit, ishte mbrojtësi i SPAL-it, Manuel Lazari. 24-vjeçari, i cili aktivizohet si mbrojtës i djathtë ka spikatur gjatë sezonit që lamë pas të Serie A. Por, fillimet e Lazarit kanë qenë shumë të mundimshme.
Mbas futbollit të moshave, Lazari u përplas me realitetin e egër të futbollit italian. Luajti në kategorinë e pestë për dy sezone në fusha patatesh dhe për para nuk mund të diskutohej. Një kalim në Serie C i dha shpresë se ndoshta do mund të siguronte një jetesë minimale nga pasioni i tij, futbolli.
Por, e ardhmja kishte plane shumë më të ndritura për mbrojtësin e ri. Financat te SPALI-i filluan të rriteshin, por djaloshi i ri nuk u prek nga ardhjet e shumta. Dy vite në Serie C, ngjitje në Serie B dhe më pas një mrekulli e menjëhershme me ngjitjen në majën e futbollit italian. Sot Lazari pritet të debutojë me përfaqësuesen “axurre”, një shembull konkret se në futboll gjithçka mund të ndodhë.