Kukësi e nisi me pretendimet mëdha këtë edicion, duke mos nguruar në asnjë moment që të shprehte me të madhe se vetëm titulli i kënaqte dhe çdo vend tjetër do të ishte një dështim. Mëse normale deri diku, çdo edicion jemi mësuar ta dëgjojmë, por dhe ta shohim Kukësin të rivalizojë për vendin e parë. Gjithsesi, gjërat nuk po shkojnë mirë, diçka që shihet qartë nga fakti se verilindorët janë 10 pikë larg vendit të parë.
Nëse bëjmë një krahasim me një edicion më parë, kuksianët kanë marrë një pikë më pak, por kanë plot 10 gola më pak se një vit më parë. Një vit më parë Kukësi e kishte gjetur rrugën e rrjetës plot 22 herë, ndërsa këtë edicion vetëm 12 realizime janë regjistruar pas 13 javësh. Mesatare shumë e dobët, me më pak se një gol për ndeshje.
6 gola Rexhinaldo, 3 Kordeiro, 2 Shameti dhe 1 Shpehar, kjo është “gjeografia” e ndarjes së golave te Kukësi. Vetëm 4 shënues në 13 javë dhe dy prej tyre janë mbrojtës, edhe pse braziliani luan si mesfushor i djathtë. Vetë largimi i Harbës tregoi se llogaritë janë bërë gabim dhe se në sulm Kukësi ka probleme.
Nuk mund të priten në çdo javë gola nga Rexhinaldo apo të jetë besimi se në goditjet standarde Shameti do të jetë ne vendin e duhur e në momentin e duhur, sikurse të presësh që dhe Koredeiro të vijojë të befasojë si një sulmues i improvizuar.