Nisja e këtij sezoni nuk ka qenë ai që pritej te Mançester Junajtid, ku ekipi i Murinjos është shumë larg pritshmërive. Faktorët shihen të shumtë, por një pjesë e fajit i faturohet dhe Zhose Murinjos dhe blerjeve të tij të fundit. Nisur nga ky fakt thuhet, se drejtuesit e Junajtid do të bllokojnë merkaton e janarit.
Ardhja e Fred në verë u kushtoi plot 59 milionë euro arkave të Mançesterit dhe ecuria e brazilianit nuk ka qenë ajo që pritej, duke mos bindur. Lojtarë të tjerë si Lindelof apo Erik Bejli, për të cilët u shpenzua jashtëzakonisht shumë, nuk kanë bindur. Të tre këto blerje ishin kërkesa të Murinjos dhe ky është shkaku që tashmë drejtuesit nuk janë dakord të plotësojnë kërkesat e trajnerit.
Mançesteri ka një ekip të mbipopulluar, pasi mjafton të hedhim një sy nga stoli, ku shumë herë kanë qëndruar lojtarë si, Sançez, Rashford, Marsial apo Herrera e Fred. Gjithsesi, mbetet për t’u parë se çfarë të rejash do të sjellë merkatoja e janarit.