Mançester Siti e ka me nxitim dhe nuk e vret mendjen për shpenzimet, sepse dëshiron ta kompletojë sa më shpejt skuadrën për sezonin e ardhshëm.
Pasi bleu mesfushorin portugez për rreth 50 milionë euro nga Monako (plus bonuse të ndryshme), klubi anglez tashmë është pranë blerjes së portierit brazilian Ederson Moraesh nga Benfika.
Vetëm 23 vjeç, Ederson ka mbyllur sezonin e dytë te Benfika dhe këtë sezon ka qenë perfekt, duke u bërë edhe pjesë e kombëtares së Brazilit.
Pas finales së Kupës së Portugalisë, fituar dje kundër Guimaraeshit, Ederson deklaroi se luajti ndeshjen e fundit për Benfikën, ndërsa tani Siti bën gati ofertën dhe çmimi mund të kapë 50 milionë euro, çka do të përbënte një rekord botëror për një portier, me Xhixhi Bufonin që mbetet rekordi për momentin, kur kaloi nga Parma te Juventusi për 49 milionë euro.
Sa për kuriozitet: Ederson është vetëm përgjysmë i Benfikës, sepse pjesa tjetër nga shitja e portierit do të shkojë te Rio Ave dhe te Gestifoot, kompania e zotëruar nga Zhorzh Mendesh, prokuratori i njohur i cili në Portugali bën ligjin dhe ka gisht në gjithë transferimet e mëdha drejt Anglisë e Spanjës. Pronësia e trefishtë ndalohet nga FIFA, natyrisht, por ka gjithnjë rrugë për të shmangur problemet.