Maldini, nga fillimet deri te rikthimi: Berluskoni, rivalët, Mesi, pengjet dhe Gatuzo

0

Paolo Maldini ka folur nga Trento në “Festival dello Sport” për ekipin e Milanit. Drejtuesi i kuqezinjve dhe legjenda e këtij klubi ka prekur tema të ndryshme, duke nisur nga fillimet e futbollit, trajnerët e famshëm me të cilët ka punuar dhe situata aktuale e Milanit. Mbështetje për Gatuzon, Paketa mund të bëjë tifozët milanistë të ëndërrojnë, ndërsa në prag është derbi me Interin.

FILLIMET – “Isha 10 vjeç, kur bleva këpucët e futbollit me mamanë time në Corso Buenos Aires. Shkova atje dhe më aktivizuan si anësor i djathtë ofensiv. Deri ditën e debutimit, nuk mendoja se isha në gjendje të luaja në Serie A. Në kthimin me autobus pas ndeshjes fitova vetëbesimin. Talente ka dhe sot, por sistemi nuk i ndihmon, sepse ata që dalin nga moshat nuk janë gati as për të luajtur në Serie C. Federata duhet të reflektojë në këtë pikë dhe ekipet e dyta.”

SAKI – “Gjynah që nuk ka trajnuar më shumë. Ai erdhi te ne në momentin e duhur. Ishte kaq maniak, sa mbeti i burgosur i ideve të tij dhe vetvetes. Kjo ndodhi për shkak të stresit të akumuluar dhe gjenitë kështu janë. Kapelo ishte një menaxher dhe trajner i madh.”

BERLUSKONI – “Berluskoni? Presidenti im, një vizionar. Na tha se do të bëheshim më të fortët në botë dhe ne qeshnim. Por që kur erdhi Saki ne e kuptuam që ai nuk ishte një person normal. A ka më presidentë aq pasionantë? Do të jetë gjithnjë e më e vështirë të menaxhosh klube të nivelit të lartë. Por pasioni që na dha pronari i klubit ka qenë çelësi i suksesit tonë. A pres një Milan-Monza? Për mendimin tim ata do ia dalin, Galianit i shkëlqejnë sytë kur flet për futboll.“

FINALJA E BARCELONËS – “Për herë të parë nuk niseshim favoritë në finale. Disa ditë para finales humbëm me Fiorentinën, që luante në Serie B, por trajneri e përballoi mirë situatën. Na bindi që ishim të fortë dhe se do të fitonim në Spanjë përballë Steauas së Bukureshtit. Flasim shumë për Kapelon, Sakin dhe Ançelotin, por ai që më mësoi futbollin ishte Liedholm, i cili hapi një cikël të ri te Milani. Ançelotin e shijova në momentin më të mirë, sepse isha në një moshë tjetër. Unë jam emotiv dhe në moshën 34-35 vjeçare, emocionet i përjeton ndryshe. Gjithmonë kam menduar se si nuk fituam aq shumë me Sakin në Itali. Ndoshta sepse Saki dëshironte të luanim gjithmonë njësoj, pavarësisht fushës, apo kundërshtarëve.”

GATUZO – “Gatuzo ka një sens rinisje, që është gjëja primare që kemi dashur të transmetojmë unë dhe Leonardo. Po ndryshon dhe vizionin që të tjerët kanë për të, nuk është vetëm grintë, por është përmirësuar dhe në aspektin teknik dhe taktik. Ai ka besimin tonë. U tregua kurajoz të pranonte stolin e Milanit dhe ka një cilësi të madhe, të dëgjon me vëmendje.”

PAKETA – “Është një lojtar i ri dhe me shumë talent. Nuk është formuar akoma 100%, por mund të na bëjë të ëndërrojmë.”

DERBI – “Si ndeshje dhe atmosferë është gjithmonë e bukur. Kjo ndeshje do të jetë akoma dhe më e bukur, sepse të dy ekipet po rikthehen të jenë konkurruese.”

RIKTHIMI – “Me Galianin kam kaluar momente të paharrueshme, por kemi patur dhe debate dhe ndonjë grindje. Dua të kem në krah njerëz, të cilët më thonë të vërtetën e gjërave dhe jo ata që më japin gjithmonë të drejtë. Kështu rritesh. Kam luajtur në shumë role dhe shpresoj të kem qenë një lojtar korrekt. Leonardo më kërkoi të rikthehesha. Diskutuam për 10 ditë, më pas na u deshën pak ditë për të arritur akordin. Unë dhe Leo ndajmë sektorin sportiv: menaxhimin e ekipit, merkaton, trajnerin dhe shitjet.”

DITA IME – “Shkoj në zyrë në orën 9:30. Unë dhe Leo kemi të njëjtën zyrë, sepse qëndrojmë gjithmonë bashkë. Erdha në momentin më të keq, atë të merkatos, por fatmirësisht filloi kampionati. Kam tre vite kontratë, që nuk është një kohë shumë e gjatë. Në një klub si Milani duhet të rikthehemi të fitojmë në Itali dhe Europë. Mendoj se është e rëndësishme për lojtarët të ndjejnë prezencën e drejtuesve. Dialogu dhe bisedat janë të rëndësishme dhe dëshirojmë t’i ndihmojmë djemtë. Kemi biseduar me të gjithë.

PENGJET – “Finalja e humbur kundër Brazilit në Kupën e Botës dhe ajo me Liverpulin në Champions. U hakmorëm pas dy vitesh.”

MESI-RONALDO – “Unë zgjedh Mesin, edhe pse Ronaldo është fenomenal. Argjentinasi është esenca e futbollit. Më kujton Maradonën, i cili merrte shumë shkelma, por nuk thoshte asnjë fjalë.”

KUNDËRSHTARËT MË TË FORTË – “Platini, Maradona dhe Ronaldo i Interit, i cili ishte i fortë, teknik dhe shënonte. Nga lojtarët italianë zgjedh Françesko Totin.”

FISHKËLLIMAT E LAMTUMIRËS – “Kjo ndodh në futboll. U zemërova pak, por ajo skenë përshkroi hendekun mes meje dhe disa qëndrimeve të caktuara, që nuk do i mbështes kurrë. Asnjëherë nuk do të heq dorë nga drejtësia dhe dëshira për të qenë një njeri i mirë. Nuk e kam kuptuar se për çfarë kontestuan. Jam i lumtur që një javë më vonë në Firence mora tributin që meritoja. Në Itali mungon kultura sportive, humbja duhet konsideruar pjesë e lojës dhe kjo është thelbësore.”

ELEMINIMI NGA KOREA – “Para ndeshjes, Tomazi po përshëndeste arbitrat, ndërsa Moreno i bëri me shenjë të largohej. Kjo gjë na futi në mendime. Atë ditë jam zemëruar shumë. Gruaja ime është nga Venezuela dhe dija pak spanjisht. Ju betohem që nxora më të keqen nga vetja. Një arbitër i ndershëm do të më kishte përjashtuar nga loja për fjalët që i thashë. Atë që ndjen në një Botëror me bluzën e Italisë, nuk e ndjen në asnjë kompeticion tjetër.”

OBJEKTIVAT – “Duam të jemi afër katër vendeve të para. Duam të përballemi me ekipet e forta, ashtu siç luajtëm me Napolin, por duke menaxhuar më mirë fazat kritike të ndeshjes. Objektivi ynë është rikthimi në Champions.”

 

 

 

 

 

You might also like
Leave A Reply

Your email address will not be published.