Skuadra e Arsenalit do të përballet me francezët e Stadë Rene në “Europa League”, me londinezët që shihen si një prej skuadrave favorite për t’i shkuar deri në fund këtij kompeticioni. Edhe pse në letër pritet një fitore e lehtë e Arsenalit, historia nuk është në favor të trajnerit Unai Emeri.
Spanjolli mori drejtimin e “Topçinjve” në verë dhe deri më tani po bën mirë. Shumë presin që Emeri ta fitojë “Europa League”, pasi cilësohet si eksperti i këtij kompeticioni, të cilin e ka fituar tri sezone radhazi në krye të Sevijas.
Stadë Rene është një skuadër “makth” për Emeri. Gjatë kohës kur drejtonte PSG-në, Rene e ka mposhtur 0-2 në “Parc de Prince”, humbja e fundit e PSG-së në shtëpi. Ky rekord negativ është ende nën përgjegjësinë e Unai Emeri, i cili do të mundohet të marrë hak ndaj skuadrës që e turpëroi një vit më parë.