Në dy fazat e para të Kategorisë së Parë, skuadra e Vorës grumbulloi 10 pikë dhe teorikisht u quajt e zbritur në Kategorinë e Dytë. Pas disa largimeve nga kjo skuadër gjatë muajit janar, pati edhe afrime, e njeri prej tyre ishte trajneri Rezart Maho. Ai ka besuar te mbijetesa në Kategorinë e Parë dhe në javën e 23-të e mendon shumë pranë largimin nga vendi i fundit.
Për SportEkspres.com, Maho deklaron: “Me Ilirinë është ndeshje e radhës, por e rëndësishme. Në fazën e tretë për Vorën të gjitha sfidat janë të rëndësisë së një finaleje. Ekipi ka ndryshuar shumë në mentalitet dhe lojë, ndaj besoj se ndaj Ilirisë do të vazhdojmë me këtë ritëm”.
Sipas teknikut tiranas, veç seriozitetit të skuadrës dhe besimit në mbijetesë, ka edhe një tjetër motiv që te Vora e quajnë shumë të rëndësishëm. “Ne kemi mbështetje serioze nga Bashkia e Vorës, që ka garantuar një shpërblim të majmë për çdo futbollist nëse sigurohet mbijetesa në Kategorinë e Parë. Kjo na ka motivuar edhe më shumë”.
AGRON KAJA