Karlo Ançeloti i ka bërë të gjithë për vete te Napoli. Trajneri i famshëm u rikthye në Itali pas nëntë vitesh dhe firmosi deri në vitin 2021 me Napolin. Rezultate pozitive, lojë e bukur dhe menaxhim i mirë i grupit të lojtarëve. Aurelio De Laurentis, i cili ka një projekt shumë ambicioz për të ardhmen, është i lumtur me të dhe është gati t’i ofrojë rinovimin e kontratës.
Siç raporton “Corriere dello Sport”, bisedimet kanë nisur dhe ideja kryesore e presidentit është rinovimi deri në vitin 2024. Diçka e tillë i pëlqen dhe Ançelotit, i cili e ka shprehur gjithmonë që ndihet mirë në jugun e Italisë. Marrëdhënia mes De Laurentis është shumë e mirë dhe palët nuk do të hasin probleme për të arritur akordin e rinovimit të kontratës.
Kreu i Napolit ka mbetur i impresionuar dhe nga Davide Ançeloti, djali i Karlos që punon si ndihmës i tij. Metodat e punës së Ançeloti Jr pëlqehen shumë dhe sipas “Il Matino”, De Laurentis dëshiron që në të ardhmen Davide të bëhet trajneri i parë i Napolit.