Fundjavën që lamë pas, në Itali u luajt supersfida midis Milanit dhe Juventusit. Në ndeshjen e luajtur në “San Siro”, Juventusi arriti një triumf 0-2, por sfida kishte shumë polemika, si pasojë e arbitrimit. Gjyqtari, Paolo Macoleni ishte në qendër të kritikave, ku ishin disa rastet e dyshimta që u diskutuan.
Gjithsesi, tre ditë përpara ndeshjes, mediat italiane kanë zbuluar se në shtëpinë e arbitrit Macoleni kishte ndodhur një grabitje. Hajdutët, të cilët ishin futur në shtëpi, kishin vjedhur dy kompjutera, uniforma të arbitrit si dhe bilbila.
Gjithashtu, ata nuk ishin ndalur me kaq, pasi kishin vjedhur dhe makinën e bashkëshortes së arbitrit. Ngjarja e ndodhur ende nuk është zbardhur dhe nuk dihet në rast se ishte një sulm i rastësishëm, apo si pasojë e punës së tij, si gjyqtar.