Lumturia e Spaletit: Sa bukur të shohësh 70 mijë njerëz duke festuar

Interi nuk ndalet dhe shkatërroi Xhenoan me rezultatin 5-0. Fitorja e shtatë rresht në kampionat për djemtë e Spaletit, të cilët ndodhën në një formë të shkëlqyer psiko-fizike. Ky trepikësh i ngjit zikaltrit në kuotën e 25 pikëve bashkë me Napolin, tre pikë më pak se kryesuesit e Juventusit, të cilët do të luajnë nesër kundër Kaljarit.

Trajneri Luçiano Spaleti është shfaqur i kënaqur pas përfundimit të ndeshjes. Për lojën, rezultatin, fitoren, por mbi të gjitha për tifozët. Në stadium ishin 70 mijë zemra zikaltër dhe trajneri është i lumtur për ta. Morali i ekipit është i lartë, por nuk ka kohë për festë. Në mesjavë vjen Barcelona në “San Siro” dhe Interi do të provojë t’iu dhurojë një mbrëmje magjike dhe emocionuese tifozëve.

NDESHJA – “Rikonfirmimi i formës tonë është aspekti më i rëndësishëm, sepse pas çdo fitore është si të fillosh nga zero. E nisëm mirë ndeshjen, duke mbajtur një qëndrim të saktë si ekip dhe u shpërblyem nga rezultati.”

FITORJA – “Gjëja që më jep kënaqësinë më të madhe është të shohësh të lumtur 70 mijë tifozët interistë, të cilët ishin në stadium sot. Janë ata që kanë qenë gjithmonë, edhe në momente të vështira, dhe kjo tregon dashurinë e madhe për ngjyrat tona. Të meritosh duartrokitjet e këtyre tifozëve është një gjë speciale.”

FORMA – “Menaxhimi i topit me një siguri të madhe dëshmon rritjen e grupit, na lejon të vëmë në pikëpyetje taktikën e kundërshtarit dhe lehtëson punën e mbrojtjes tonë, duke përfshirë gjithë skuadrën në të dy fazat: atë të mbrojtjes dhe të sulmit. Në këtë mënyrë dalin në pah dhe cilësitë individuale. Djemtë po punojnë në mënyrë serioze, po tregohen profesionistë dhe një gjë e tillë u pa dhe në rastin e Galjardinit, i cili nuk është aktivizuar shumë. Zhvilluam një ndeshje me nivel, që konfirmon cilësinë e këtij Interi.”

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *