Luksi i Realit të Madridit, 100 milionë euro të shpenzuara për… zero minuta kontribut!

Reali i Madridit kaloi një verë të vështirë me largimin e Kristiano Ronaldos drejt Juventusit, por rrezikoi të humbiste dhe shërbimet e Luka Modriç. Finalja e Superkupës së Europës e humbur me Atletikon e Madridit acaroi më shumë situatën në kampin madrilien, ndërsa djemtë e Lopeteguit kanë bërë një nisje të mirë në kampionat. 10 pikë në katër ndeshjet e para me 10 gola të shënuar.

Barazimi ndaj Atletik Bilbaos qëndron, sepse është gjithmonë një fushë e vështirë, por ajo që bie në sy është fakti që Reali nuk po arrin të shfrytëzojë prurjet e merkatos së verës.

Përveç portierit Tibo Kurtua, i cili është aktivizuar si titullar në dy sfidat e fundit, blerjet e tjera si: Vinisius Zhunior, Mariano Diaz dhe Odriozola nuk kanë zbritur akoma në fushë. Të tre bashkë kanë kushtuar 97 milionë euro, por Lopetegui nuk i ka përdorur deri më tani.

Braziliani Vinisius është “parkuar” tek ekipi i dytë i Realit. 18-vjeçari po bën mirë, pasi ka shënuar tre gola në po aq ndeshje dhe po pret thirrjen e Lopeteguit për t’u grumbulluar me ekipin e parë.

22-vjeçari Odriozola luajti në miqësoret e verës, por më pas pësoi një dëmtim dhe i është dashur të rikuperohet. Ai ka kaluar dëmtimin dhe përballë Espanjolit në fundjavë, mund të vijë debutimi i tij me Realin e Madridit.

Asnjë minutë në këtë sezon dhe për sulmuesin Mariano Diaz. Lopetegui tentoi pafund për të afruar në ekip dhe Perez ia plotësoi dëshirën. Diaz është marrë për të zëvendësuar francezin Benzema, por ai po pret një sinjal nga trajneri për të shfrytëzuar shansin e tij.

Megjithatë, tani nis dhe Champions Liga dhe trajneri i Kampionëve të Europës në fuqi do të jetë i detyruar t’i përdorë të gjithë lojtarët, sepse ekipi do të luajë çdo tre ditë dhe do të ketë nevojë për kontributin e të gjithëve.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *