Bajerni i Mynihut zyrtarizoi pak më parë transferimin e tyre më të shtrenjtë të historisë, teksa kanë shpenzuar plot 80 milionë euro, për të siguruar shërbimet e Lukas Hernandez. Pikërisht, lojtari ka folur për klubin bavarez pas nënshkrimit, ku shprehej shumë i lumtur.
“Sot është një ditë shumë e rëndësishme për karrierën time. Bajerni i Mynihut është një ndër klubet më të mëdha në Evropë dhe Botë. Jam krenar që do të kem mundësi të luftoj për të fituar tituj me fanellën e Bajernit në të ardhmen. Falenderoj Atletikon, menaxherët, trajnerët dhe shokët e skuadrës. Gjithashtu edhe tifozët, të cilët kanë qenë fantastikë për 12 vite. Atletiko gjithmon do të jetë një pjesë e imja. Tani jam i lumtur që ndërmarr një hap të ri te Bajerni”, tha Lukas.
Gjithashtu, për transferimin e 23-vjeçarit, foli edhe drejtori i bavarezëve, pikërisht Hasan Saliamixhixh. Boshnjaku deklaroi se Lukas do të vazhdojë traditën e lojtarëve francez, të cilët po e forcojnë jo pak Bajernin.
“Jam shumë i lumtur, pasi kemi nënshkruar me një nga mbrojtësit më të mirë në Botë, i cili është edhe kampion Bote. Lukas mund të luajë në krahun e majtë dhe në qendër. Hernandez do të vijojë traditën e lojtarëve francezë, të cilët po e forcojnë ekipin tonë”, përfundoi Saliamixhixh.