Luhet Kukësi-Partizani, diskutohet statusi “pretendent për titull”

Luhet ndeshja më e rëndësishme e javës së tetë, teksa në “Elbasan Arena”, Kukësi do të presë Partizanin. Edhe pse konsiderohet si një supersfidë, kuksianët e kanë parë të arsyeshme që ta zhvillojnë këtë sfidë në një orar të pazakontë, kjo për faktin se ndeshja do të startojë në 13:45.

Në edicionet e fundit takimet mes “demave” dhe verilindorëve kanë qenë gjithnjë të “nxehta” dhe është diskutuar kreu i klasifikimit. Pritshmëritë janë maksimale edhe në takimin e parë sezonal, kjo për shkak se skuadrat janë vetëm 3 pikë larg njëra-tjetrës, me kryeqytetasit që janë më lart në klasifikim.

“Të kuqtë” kanë një ecuri mjaft të mirë dhe këtë edicion po i marrin ndeshjet një e nga një. Titulli nuk është premtuar me zë të lartë, por sigurisht që të gjithë në kampin e Partizanit e dinë mirë se ai është synimi i tyre. Krejt e kundërta ndodh me kuksianët, pasi nga presidenti Gjici dhe deri tek trajneri Cungu të gjithë e kanë si kusht titullin dhe nuk pajtohen me asnjë variant tjetër.

Kukësi u mund në mesjavë me Skënderbeun në Korçë dhe sot do tentojë që të reagojë, ndaj një Partizani të blinduar, që nuk pëson prej 7 ndeshjesh radhazi, pasi vetëm Skënderbeu i ka ndëshkuar me një 11-metërsh në limitet e ndeshjes. Kukësi në krahun tjetër është skuadër pragmatiste, por 2 rezultate negative radhazi do ishin shumë për ambiciet e tyre madhore, ndaj sot në Elbasan pritet spektakël në fushë, siç ka ndodhur gjithnjë në takimet mes Kukësit dhe Partizanit.

 

KATEGORIA SUPERIORE – JAVA 8
E hënë, më 8 tetor, ora 13:45
Stadiumi “Elbasan Arena”, Elbasan

Kukësi-Partizani

Kukësi: Frashëri, Maliki, Shameti, Cuculi, Uilliam, Ethemi, Limaj, Shkodra, Shafik, Kalaja, Rexhinaldo. Trajner: Armando Cungu.
Partizani:  Hoxha, Ibrahimi, Belica, Atanda, Trashi, Telushi, Hila, Asani, Bardhi, Mala, Mensah.
Trajner: Skënder Gega.

Gjyqtarë: Juxhin Xhaja, Rejdi Avdo, Nertil Bregasi, Rudin Preca .
Gjyqtarë linje:Emirion Sino, Klajdi Kola .
Delegat: Millan Baci ; Vëzhgues: Sazan Velcani

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *