Debati Zeka-Dani, Vllaznia rri në heshtje

Trajneri i portierëve të kuqebluve edhe dje nuk ka qenë në stërvitje, ndërsa për të sqaruar situatën sot do të prononcohet administratori Gjyrezi

Gaspër Marku

Nëse një pjesë e mirë e skuadrave të Kategorisë Superiore kampionatin e 79-të kombëtar do ta nisin sot, Vllaznia e starton nesër garën teksa në Fier do të jetë përballë Lushnjës. Dhe kjo është arsyeja që trajneri Armando Cungu ka mundësinë e zhvillimit dhe të një seance stërvitore sot përpara se skuadra të niset për në Fier, atje ku dhe është shtëpia e Lushnjës aktualisht. Sakaq të premten, ashtu sikurse ishte bërë e ditur dhe më parë, skuadra është stërvitur në orët e paradites, sepse pasdite në “Reshit Rusi” Vllaznia B do të zhvillohet një ndeshje miqësore me Besën. Ndeshje e cila nuk u zhvillua për shkak të mosardhjes së kavajasve. Gjithsesi përgatitjet e së premtes janë shoqëruar me një normalitet, ku ndryshe nga ajo që konsiderohej si një paradite me probleme temperaturash të larta, reshjet e shiut të filluara që herët në mëngjes kanë ulur ndjeshëm temperaturat. Përpos kësaj një tjetër problem që, nëse mund të konsiderohej i tillë, kishte të bënte me një konfuzion të shfaqur ditët e fundit si rezultat i një debati mes drejtorit sportiv, Eugen Zeka, dhe trajnerit të portjerëve Avenir Dani. Debat që në fakt palët realisht në konflikt akoma nuk janë prononcuar për një gjë të tillë. Madje, reagim, apo sqarim të situatës nuk ka pasur as nga drejtuesit më të lartë të klubit të futbollit Vllaznia, përfshirë edhe Bordin Mbikqyrës dhe strukturat bashkiake. Burime zyrtare nga klubi kuqeblu kanë bërë të ditur mbrëmjen e së premtes se, rreth çështjes në fjalë, do të ketë një prononcim publik nga ana e administratorit Astrit Gjyrezi. Ajo që vlen të theksohet ka të bëjë me faktin se nga ana e klubit deri më tani nuk konfirmohet asnjë informacion që ka të bëjë me largimin e trajnerit të portierëve Dani, edhe pse ai edhe në seancën stervitore së të premtes nuk është paraqitur. Por kjo nuk e ka penguar trajnerin e parë Armando Cungu që, së bashku me Aleksandër Maxhar, të vijojë me përkushtim minutat stërvitore, të cilat përgjithësisht nuk është se kanë pasur ndonjë ndryshim me atë të ditës së enjte. Që do të thotë se me përjashtim të mesfushorit Alsid Tafili, që si rezultat i një dëmtimi në kolonë është i pamundur të kontribuojë për skuadrën në këtë ndeshje, të gjithë të tjerët janë në rregull. Edhe në aspektin e ndërtimit të formacionit, Cungu ka vijuar të shpalosë në fushën stërvitore të njëjtin projekt që ka aplikuar edhe një ditë më parë. Dhe ai është me Selimajn në portë, Gocajn, Pjeshkën, Orelesin dhe Gurishtën në mbrojte, Krymin, Hasanin, Krujën, Vucajn dhe Likën në mesfushë dhe sulmues i deklaruar ganezin Çarls Atsina.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

where can i buy doxycycline over the counter buy doxycycline online