Luftëtari është në kaos. Problemet janë të shumta, Bashkia nuk jep kontributin e saj, lojtarët nuk paguhen, rezultatet nuk janë ato që priten nga të gjithë dhe tashmë një pjesë e mirë e titullarëve i kanë bërë gati valixhet. Dhe kanë plotësisht të drejtë. Mbetet për t’u parë sa lojtarë do largohen në janar.
REAGIMET BOSHE – “Nuk është e vërtetë që te Luftëtari ka pesë muaj që nuk janë dhënë pagat. Ekipi ka vetëm dy muaj pa u paguar dhe këto paga do t’u kalojnë brenda javës. Asnjë nga lojtarët nuk e çon nëpër mend të bojkotojë ndeshjen”, thoshte zyrtari i klubit gjirokastrit, Rigels Malile, në një reagim pas lajmit të botuar në “SportEkspres.com” para ndeshjes me Flamurtarin.
Këmbëngulje e madhe që gjithçka do të zgjidhej shpejt, ndërkohë që pak ditë më vonë Gjirokastër “ranë brenda më këmbët e tyre”, teksa shkruanin në një njoftim të bërë përmes sajtit zyrtar: “Luftëtari ka nisur shlyerjen e pagave të prapambetura. Ka kaluar në bankë një pagë dhe brenda dy javësh do kalojnë edhe dy pagat e tjera të prapambetura”. Brenda pak ditësh nga Gjirokastra e bënë lëmsh: 2 apo tre paga u kishin borxh lojtarëve? Burimet tona bënin më dije se ishin pesë paga të padhëna.
SITUATA AKTUALE – Pagat e prapambetura janë një çështje për të cilën është folur edhe më parë, ndërkohë që tanimë drejtori sportiv Rigels Malile i është drejtuar edhe aksionerëve të klubit për të gjetur një zgjidhje për situatën e krijuar.
Kolegët e Panorama Sport kanë publikuar një dokument ku thuhet ndër të tjera se nuk ka të ardhura as për transportin dhe për hotelet në dy ndeshjet e fundit në transfertë. Është e zeza mbi të bardhë: vetë Malile i sjell këto problematika.
Jo vetëm kaq, por flitet edhe ultimatumin e restorantit ku lojtarët ushqehen, ultimatume të pronarëve të shtëpive ku jetojnë futbollistët, borxhe ndaj palëve të treta. Nga këto të fundit madje rrezikohen edhe heqje pikësh.
Në të shkuarën klubi me shumë energji ka hedhur poshtë shpesh lajmet për problemet financiare, por këtë herë gjithçka ka dalë në shesh. Sigurisht do të nisë “refreni” i zakonshëm: “Çdo gjë do të zgjidhet shumë shpejt”.