“Luftë” Skënderbeut, Gjoni: Besëlidhja, surpriza e Kupës!

Ditën e enjte Besëlidhja ka fituar miqësoren me Veleçikun, një ndeshje që sipas trajnerit Vladimir Gjoni, skuadra tregoi se është në rrugën e kolaudimit të saj në këtë periudhë. Për SportEkspres.com, Gjoni deklaron se në procesin stërvitor gjatë muajit janar 2019, i është kushtuar më shumë rëndësi shënimit të golit, duke e quajtur këtë një mangësi evidente në 14 ndeshjet e luajtura në Kategorinë e Parë, e cila ende nuk është përmirësuar.

“Me Veleçikun ishte një miqësore e bukur dhe e luftuar nga të dyja skuadrat. Fitorja e Besëlidhjes nuk erdhi si rastësisht, por me një lojë bindëse. Madje, nëse do të ishim më të qartë në finalizim, mund të kishim shënuar rezultat më të thellë. Gjatë stërvitjes në këtë periudhë e kemi vënë theksin te shënimi i golit, dhe ndaj Veleçikut skuadra tregoi se ende përmirësimi në këtë tregues mungon”.

Gjatë këtij muaji Besëlidhjes i është bashkuar mesfushori Brilant Hasaj, i cili në pjesën e parë të sezonit e luajti me Veleçikun, por trajneri Gjoni ka edhe një synim. “Besëlidhja ka qenë gjithmonë protagoniste në ndeshjet e Kupës, dhe mendoj se në sfidën e ditës së martë me Skënderbeun nuk do të hyjë si inferiore. Ne do jemi surpriza e Kupës së Shqipërisë në këtë sezon”, kështu përfundoi deklarimin e tij trajneri Vladimir Gjoni i Besëlidhjes.

Skuadra lezhjane është kualifikuar në turin e 1/8 në Kupën e Shqipërisë dhe ndeshjen e parë e luan të martën në Lezhë ndaj Skënderbeut, ndërkohë që në datën 2 shkurt, në javën e 15-të të Kategorisë së Parë luan “derbin” e prefekturës në Shënkoll.

AGRON KAJA

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *