Lufta për mbijetesë mes kufomave, historia e dhimbshme e talentit që ka blerë Bajerni

0

Alfonso Dejvis është blerja më e re e gjigantëve të Bajern Mynih. Plot 18.5 milionë euro për një 17-vjeçar. Djaloshi me pasaportë kanadeze, por me origjinë liberiane, shihet si një talent me potencial të madh. Dejvis do të qëndrojë tek ekipi i Vankuverit deri në janar dhe pasi të ketë mbushur 18 vjeç (i mbush me datë 2 nëntor) do të fluturojë drejt Bavarisë.

Adoleshenti ka thyer disa rekorde. Alfonso është futbollisti i parë i lindur në vitin 2000 që arrin të debutojë në futbollin amerikan (MSL). Në qershor të vitit të kaluar, ai u bë lojtari më i ri që debutoi me Kombëtaren kanadeze të futbollit. Dopieta që shënoi kundër Guianës Franceze në vitin 2017 në Kupën e artë CONCACAF, e bëri Alfonso Dejvi shënuesin më të ri të Kombëtares kanadeze, me të riun që shënon një një kompeticion CONCACAF dhe lojtarin më të ri që ka lindur në vitin 2000, i cili ka shënuar në një turne ndërkombëtar të nivelit të lartë.

Lojtari 1.81 metra i gjatë ka nënshkruar kontratën e jetës me Bajernin deri në vitin 2023, por jo gjithçka ka qënë e lehtë për djaloshin, përkundrazi. Vuajtje dhe sakrifica pafund. Prindërit e tij janë me origjinë nga Liberia, por Lufta e dytë civile Liberiane shpërtheu dhe ato u detyruan të largoheshin. 1500 km rrugë për të arritur në Ganë. Prindërit sistemohen në një kamp refugjatësh në lindje të Ganës, aty ku do të lindë dhe lojtari më i ri i Bajernit.

Viktoria, nëna e Dejvis tregon vështirësitë dhe vuajtjet e shumta nëpër të cilat ka kaluar familja.

“Sot jemi në Kanada dhe kemi gjithçka na nevojitet, por kur ishim në Liberi, për të gjetur diçka për të ngrënë duhet të kërkonim në mesin e kufomave. Vendi ishte në luftë civile dhe kishim frikë mos vdisnim. Ishte e rrezikshme, e tmerrshme dhe nuk kishim alternativë tjetër, përveç arratisjes. Kemi udhëtuar 1500 km plot 42 mijë njerëz dhe u vendosëm në Ganë, aty ku lindi Alfonso. Më pas kërkuam azil në Kanada dhe në 2006 u larguam përfundimisht nga Afrika.”

“Sot ndihem krenare për djalin tim. Në kampin e refugjatëve nuk kishim as ushqim as veshje. Tashmë jetojmë në Kanada, aty ku shpresonim të shpëtonim dhe me ndihmën e shtetit kanadez ja kemi dalë. Alfonsos i kam thënë që mund të largohet për të vazhduar karrierën e tij sportive dhe ai më ka thënë që nuk do të ndryshojë kurrë”.

Kujtimet e hidhura tashmë janë vetëm një histori për t’u treguar. Dejvis është një djalosh i fortë dhe gjithmonë i buzëqeshur. Atij i mbetet të stërvitet mirë, të festojë 18-vjetorin e lindjes në nëntor dhe pastaj fluturimi drejt Mynihut, drejt ëndrrës…

You might also like
Leave A Reply

Your email address will not be published.