Luante me Ronaldinjon dhe Anelkan! Lorik Cana tregon si stërvitej Shqipëria në 2002: Afronim makinat për të ndriçuar vendin

Lorik Cana është kapiteni legjendar i Shqipërisë. Shiriti do të ndërrojë shumë krahë te Kombëtarja, por kuptimi i vërtetë merrej vetëm në momentin që Cana udhëhiqte kombin në fushën e blertë. Dëshirë, grintë, karakter dhe ndjenjë përfaqësie. Historia e Lorik Canës ishte e gjitha besnikëri e pastër ndaj atdheut dhe për këtë arsye dashurohej së tepërmi nga tifozët. I rritur mes emrave me të mëdhenj të futbollit, Cana kishte gjithë mundësinë për të pritur një tjetër Kombëtare dhe për të refuzuar Shqipërinë.

Në momentin që një gjë e tillë ndodh edhe sot, çfarë mund të thuhet për vitet e atëhershme? Në rrëfimin e dhënë për emisionin “Jashtë loje” që transmetohet në “Top Channel”, Lorik Cana është shprehur se në vitin 2002 te Kombëtarja stërviteshin në darkë me dritat e makinës që rrinin të ndezura, pasi nuk kishte ndriçim.

“Kisha një qëllim. Isha shumë i sigurt, që nëse nuk do të kem një lëndim do ia arrij. Nuk ishte e vështirë në aspektin teknik, sepse unë kur zgjodha të luaja me ekipin kombëtar pothuasje isha me ekipin e parë të ekipit. Luaja në skuadër me Ronaldinjon, Anelkan, Hajnze, Pocetino. Domethënë me yje botërorë dhe nuk e kisha frikë aspektin teknik. Por kur vjen në një vend ku përfaqëson një Kombëtare, është një grup i ri njerëzish… Kam pasur fatin që ajo gjeneratë më ka pritur në mënyrë të jashtëzakonshme. Më ka pritur si vëllain e vogël, më ka përkëdhelur dhe jam ndjerë komod që ditën e parë.

Më kujtohen grumbullimet e para që i kemi bërë këtu te Shato Linza. Shkonim me autobuz ateherë te kompleksi Partizani. Më kujtohet fusha atëherë që ishte më e gjatë se sa topi dhe nuk e shihje topin. Kam disa kujtime kur stërviteshim pasdite nuk kishim drita. Në fund të stërvitjes në atë kohë me Dosenën, ishte shtator i 2002, hera e parë që jam grumbulluar, kemi afruar makinat që me dritat e makinave të ndricohet stërvitja. Për të mos na zënë errësira. Me kujtohet një vend i ri, sepse nuk kisha shkelur asnjëherë në Shqipëri. Por ambienti mu duk jashtëzakonisht i mirë.

Do të doja të mos hyja në fushë me Serbinë? E përse? Përkundrazi, sepse ne ndiheshim jashtëzakonsiht mirë. Jo vetëm që përfaqësonim Shqipërinë, por përfaqësonim Shqipërinë e bashkuar. Kombëtaren e vërtetë. Shqipëria ka pasur vetëm në 2 raste Kombëtare të vërtetë, pas Luftës së Dytë Botërore dhe gjenerata jonë. Gjithcka që ka qenë në mes, që është një kohë e gjatë, ka pasur vetëm përfaqësuese. Por quhej Kombëtarja shqiptare sepse kishte simbolet kombëtare, kishte flamurin kuqezi, por në përbërjen e saj nuk kishte asnjëherë…

Nuk është e rastësishme që kampionati ballkanik është fituar me Naim Kryeziun, Riza Lushtën, që ishin të Kosovës. Nuk po them që ne jemi më të mirë, por ne thjesht ishim bashkë. Kjo është Kombëtare, merr sensin e Kombëtares. Tani kemi përfaqësuese. Të dyja me një mision të ndershëm për të përfaqësuar vendin tonë. Por ne kemi shfrytëzuar momentin e duhur dhe kemi arritur që si Kombëtare e bashkuar të shkruajmë historinë”, ka thënë Lorik Cana./Sport Ekspres/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

where can i buy doxycycline over the counter buy doxycycline online