Lorik Cana nuk shkëputet nga futbolli, tani ndihmon kopshtet dhe shkollat

Në prill 2017 Lorik Cana themeloi fondacionin “Lorik Cana 5”, që ka nisur zyrtarisht misionin në mbështetjen e sportit për fëmijët dhe të rinjtë, promovimin e kulturës dhe trashëgimisë kombëtare.

Ish-kapiteni i kombëtares ka qenë sot i pranishëm në Kopshtin Nr. 64, te ish-fusha e aviacionit në Tiranë, ku ka prezantuar programin e parë dedikuar aktivitetit sportiv për moshat parashkollore nga 3 deri më 7 vjeç, me instalimin e një fushe multi-funksionale.

“Kisha katër vjet që po mendoja të bëja fondacionin tim për të dhënë vlera që i ndihmojnë njerëzit, që i përfaqësojnë dhe që i lidhin me njëri-tjetrin. Sigurisht për të nisur, Tirana është kryeqyteti i të gjithë shqiptarëve. Fondacioni do të shtrihet në të gjitha trojet shqiptare, në Shqipëri, Kosovë dhe shpresojmë në të ardhmen në Maqedoni, për ti mësuar fëmijëve tonë të rriten me vlerat e duhura. Më e rëndësishme se struktura, e cila nuk është e madhe, më i rëndësishëm është çfarë brumi ka brenda, çfarë programi do të ketë për fëmijë”, deklaroi Loriku, duke folur për mediat, ndërsa i pranishëm në inaugurim ishte edhe kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj, i cili vlerësoi projektin dhe premtoi mbështetje.

“Cana nuk do të vazhdojë të luajë si futbollist profesionist, por do të vazhdojë të kontribuojë. Secili prej nesh e ka një thirrje në jetë dhe thirrja e Lorikut është të vazhdojë të kontribuojë për sportin. Fondacioni Lorik Cana sot po mbjell vetëm filizin e parë të një pune fantastike, që do t’ia shohim hajrin vite më vonë. Ky nuk është një investim vetëm për sport, por për të ndërtuar karakter dhe të ardhmen e Shqipërisë”.

Inaugurimi i mini-fushave multifunksionale, që janë produkte të certifikuara nga Bashkimi Euroopian dhe të konceptuara për zhvillimin e fëmijëve parashkollorë, do të vijojë të martën, në Kopshti Nr. 21 në Kombinat.

No automatic alt text available.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *