Trajneri i Real Madrid, Hulen Lopetegui, foli para gazetarëve në përfundim të takimit ndaj Barcelonës, ku skuadra e tij u mund me rezultatin e thellë 5-1. Tekniku bask tha se disfata e sotmë është shumë e rëndë për të dhe lojtarët, por ai theksoi se skuadra e tij ka forcë për t’u rikthyer te fitoret.
“Kishim kohë dhe mundësi për të përmbysur rezultatin. Patëm shanse të pastra për të barazuar rezultatin, por nuk ishte e thënë. Në pjesën e parë ata luajtën më mirë se ne, megjithëse nuk patën shumë raste për gol”.
“Përgjegjësitë teknike bien gjithmonë mbi trajnerin. Por në fund humbim bashkë dhe fitojmë bashkë. Jam i bindur se në fund të sezonit në Madrid do të ketë festë. Duhet të ndihmojmë njëri-tjetrin dhe të insistojmë deri në fund”.
“Jemi të mërzitur, por është vetëm muaji tetor. Asgjë nuk është e pariparueshme, pasi kemi plot kohë dhe fuqi për të bërë kthesën si ekip. Rezultati nuk reflekton realitetin e ndeshjes, kishim raste për të barazuar takimin, por Suarez çoi ndeshjen në 3-1 gjithçka mbaroi”, përfundoi tekniku i bask.