Lokomotiva e Zagrebit pak ditë më parë ka nënshkruar kontrata me të rinjtë Indrit Tuci dhe Arbër Mehmetllari, të cilët për katër vite do të jenë nën kontratë me klubin kroat. Së fundmi ata po shohin edhe dy elementë të tjerë për të cilët do të vendosin më pas.
Rubin Zijaj dhe Henri Sulovari janë ata të cilët klubi kroat do t’i vëzhgojë nga afër në një turne që po mbahet në Gjermani. I pari luan si sulmues dhe është pjesë e moshave të Apolonisë, ndërkohë që kërkon të bëjë kapërcimin e madh, ashtu siç kanë bërë më parë edhe të tjerë shqiptarë ne klubin kroat.
Sulovari, gjithashtu fierak, është pjesë e Shkëndijës së Tiranës dhe luan si mesfushor qendre. Lokomotiva e Zagrebit ka marrë edhe më parë lojtarë nga shkolla e mjeshtërisë sportive, të fundit Enis Çokaj dhe Jon Mersinaj, futbollistë këta që e mbyllën sezonin në Superiore te skuadra e Laçit, ku ishin në huazim.
Zijaj dhe Sulovari do mundohen të bindin drejtuesit e Lokomotivës dhe të kenë mundësinë të transferohen në Kroaci, ku fillimisht do të aktivizoheshin me moshat dhe më pas në varësi të paraqitjes së tyre dhe rritjes së bërë, do të mund të kalojnë në ekipin e parë ku janë Uzuni dhe Kastrati.