Drejtori sportiv i Vllaznisë Engin Firat, ka diskutuar para mikrofonit të “RTSH Sport” mbi planet e merkatos së dimrit te klubi shkodran. Zyrtari turk ka prekur sërish çështjen e qendërmbrojtësit Renato Malota dhe ka dhënë disa detaje për disa lojtarë që do të vien në provë në ditët në vazhdim në Shkodër
LARGIMI I MALOTËS ? – “Është folur shumë për Malotën. Ka vetëm thashetheme nuk ka asnjë ofertë, qoftë nga klubi i Kamzës apo Skënderbeut. Malota është një lojtar i rëndësishëm i Vllaznisë dhe ai do të largohet vetëm nëse për të vjen një oferta nga Emiratet e Bashkuara Arabe ose një klub europian”
MERKATO E VLLAZNISË – “Përsa i përket elementeve që mund të përforcojnë skuadrën kam folur me Hasan Likën, për të sjellë ndonjë lojtar të ri. Nëse do bëjmë afrime, do të na duhet të largojmë disa lojtarë, pasi nuk kemi financa të shendosha. Kam folur me drejtorin Lici dhe kemi ndërmend të provojmë një sulmues algjerian, një mesfushor maqedonas e një shqiptar”, tha Firat.