Azdren Llullaku është pjesë e Astra në Rumani dhe ky sezon po shkon mirë për sulmuesin shqiptar, pasi ka arritur të shënojë pesë herë për skuadrën e tij. Nisur nga shifrat e regjistruara, kanë nisur të qarkullojnë edhe zërat e parë të merkatos.
“Yeniasir.com.tr”, raporton se Altaj në ligën e parë turke i ka hedhur sytë nga sulmuesi anësor i kombëtares sonë. Rreziku për të rënë në ligën e dytë i ka bërë drejtuesit që të shohin për lojtarë cilësorë në merkato.
Ndër objektivat e tyre është edhe Azdren Llullaku dhe fjalën e fundit do ta thotë stafi teknik. Gjithsesi, edhe nëse jepet “OK” nga trajneri, do të duhet të paguhet për kartonin e sulmuesit tek Astra. Për vetë Llullakun nuk është ndonjë hap përpara kalimi në ligën e parë turke, madje në një ekip që rrezikon edhe rënien nga kjo ligë. Po të ishte për ndonjë klub të Superligës turke, atëherë situata do të ishte ndryshe.