Liverpul e Siti të pandalshëm, ngec Junajtid

0

Janë mbyllur 7 nga 10 sfidat e javës së gjashtë në Premier Ligë. Liverpul dhe Mançester Siti kanë “asfaltuar” respektivisht Sauthempton dhe Kardif. Mançester Junajtid është ndalur në barazim mjaft zhgënjyes 1-1 ndaj Uolves, ndërkohë fitore për Bërnlej dhe Leister, të cilët dalin nga kriza.

Të besuarit e Jurgen Klop duken të pandalshëm në këtë fillim sezoni teksa numërojnë 6 fitore në po kaq ndeshje të luajtura. 18 pikë të plota për “The Reds”, të cilët shkëputen të vetëm në krye të renditjes, në pritje të ndeshjes së nesërme, që Çelsi do të zhvillojë në fushën e Uest Hem. Një autogol, mbrojtësi Matip dhe Salah në fund të pjesës së parë e bënë skuadrën e Klop të shkonte në pushim me rezultatin 3-0. Në pjesën e dytë të kuqtë administruan avantazhin dhe mbyllën çdo gjë në të njëjtat shifra si pjesa e parë.

Ndërkohë Siti i Guardiolës duket se ka lënë pas humbjen e befasishme që pësoi në Champions ndaj Lion, duke mundur pa probleme në transfertë Kardif. Aguero hapi serinë e golave për “Citizens”, të cilët më pas brenda 9 minutash shënuan dhe 2 herë të tjera me Bernardo Silvën dhe Gyndogan. Në pjesën e dyte ishte momenti i Riad Mahrez, i cili erdhi nga stoli dhe shënoi një dygolësh për të mbyllur çdo gjë në 0-5.

Krejt e kundërta në kampin e Mançester Junajtid. Ekipi nga “Old Traford” është ndalur në një barazim 1-1 ndaj Uolves, që padyshim ka zhgënjyer të gjithë të pranishmit në teatrin e ëndrrave. Ishte blerja e verës Fred, i cili i dha avantazhin ekipit të Murinjos në minutën e 18-të. Pjesa e parë u mbyll me fitoren 1-0 të Junajtid. Por pjesa e dytë, duket se nisi me vrull për miqtë, të cilët në të 53-tën ju falën një goli mjaft të bukur të Zhoao Mutinjos. Ekipi i Junajtid tentoi deri në fund të fitonte sfidën por pa sukses. Vendi i 5-të për “djajtë” në kuotën e 10 pikëve dhe një fillim sezoni aspak i mirë.

Ndërkohë në sfidat e tjera bie në sy fitorja e thellë 4-0 e Bërnlejt, e para për këtë sezon pas 4 humbjeve radhazi. Leister ka arritur një fitore 3-1 me përmbysje ndaj Hadërsfilld, të cilët me sa duket edhe pse është shpejt, janë pretendentët kryesore për rënien nga kategoria. Ndërkohë e vetmja sfidë pa gola në këtë javë të 6-të për momentin është Kristal Palas – Njukasëll, të cilat ndanë nga një pikë.

Bërnlej – Bornmuth 4-0
Shënues: Vidra 39’, Lenon 41’, Barns 83’, Barns 88’
Kardif – Mançester Siti 0-5
Shënues: Aguero 32’, Bernardo Silva 35’, Gyndogan 44’, Mahrez 67’, Mahrez 89’
Kristal Palas – Njukasëll 0-0
Leister – Hadërsfilld 3-1
Shënues: Ihenaço 19’, Madison 67’, Vardi 75’ / Jorgensen 5’
Liverpul – Sauthempton 3-0
Shënues: Hëed (aut.) 10’ , Matip 21’, Salah 45+3’
Mançester Junajtid – Uolves 1-1
Shënues: Fred 18’ / Mutinjo 53’

You might also like
Leave A Reply

Your email address will not be published.