Tirana po tenton të përforcohet edhe më shumë, me synim fitimin e titullit kampion. Bardheblutë deri më tani kanë zyrtarizuar afrimet e Agustin Torasa, Elton Kale dhe Idrizi Batha, ndërkohë që i radhës që pritet të nënshkruajë është sulmuesi Ismael Dunga.
Keniani, autor i shtatë golave me Luftëtarin vjet, është në bisedime prej kohësh me bardheblutë. Kukësi gjithashtu e tentoi, por Tirana është treguar më konkrete dhe pritet që në mesjavë të nënshkruajë. Veç tij, sipas Supersport, raportohet se do të firmosë edhe Majkëll Ngo. Me këta të dy sulmi i bardhebluve mund të konsiderohet i kompletuar.
KONFIRMIMET – Trajneri Ardian Mema, pas paraqitjeve që Ilion Lika bëri në fund të sezonit të shkuar, është i bindur t’ia besojë atij mbrojtjen e katërkëndëshit. Kështu, portieri pritet që të rinovojë kontratën dhe të vazhdojë të mbetet pjesë e bardhebluve.
Asion Daja gjithashtu do të qëndrojë te Tirana. Mesfushori ka kontratë edhe për një vit, ndërkohë që me Erando Karabecin duhet biseduar. Kapitenit i ka përfunduar kontrata, por edhe me të pritet të nënshkruhet marrëveshja e re.