Lëvizje në stafin kuqeblu, Eugent Zeka pranë Teutës

Në njërin krah Cungu konfirmohet sërish te Vllaznia, ndërsa në tjetrin drejtori sportiv Eugent Zeka duket se do të shkojë në Durrës

Gaspër Marku

Te Vllaznia nuk ka vetëm merkato futbollistësh, por edhe në stafin drejtues. Vetëm një ditë pas konfirmimit të teknikut Armando Cungu në stolin kuqeblu, lajmi më i fundit që del nga brenda klubit ka të bëjë me një largim të mundshëm të drejtorit sportiv Eugent Zeka. Në fakt, për Cungun komentet dhe diskutimet në lidhje me hezitimin e tij për të qëndruar në krye të Vllaznisë kanë qenë të shumta, por tashmë gjithçka ka marrë drejtim. Ishte kryebashkiakja Voltana Ademi që konfirmoi trajnerin dhe më pas vetë Cungu lëshoi deklarata pohuese, duke i dhënë fund çdo lloj aludimi rreth kësaj çështje. Dhe tashmë trajneri Cungu është gati të vazhdojë punën për projektin, që ai ka në mendje për Vllazninë.

ZEKA – Por nga stafi drejtues i klubit Vllaznia pritet të largohet drejtori sportiv Eugent Zeka. Një informacion i tillë vjen nga burime pranë vetë Zekës dhe destinacioni i tij mund të jetë Durrësi. Me të gjitha mundësitë, kjo lëvizje do të bëhet realitet dhe Zeka do të punojë për Teutën. Realisht, durrsakët e kanë trajnerin e tyre, Gugash Maganin, i cili ka besimin dhe simpatinë e drejtuesve durrsakë, por për rastin konkret mund të jetë në lojë edhe posti i drejtorit sportiv pranë klubit bregdetar. Një detyrë, që Zeka e ka kryer më së miri deri tani pranë klubit shkodran, duke fituar një përvojë pozitive. Lajmi në fjalë konfirmohet edhe nga burime pranë presidentit Edmond Hasanbelliu, për të cilin thuhet se ka shprehur konsideratën e tij për figurën e Zekës. Ky i fundit, përveç Vllaznisë, ka provuar një aventurë të vogël në Superiore si trajner i Laçit. Prej vitesh Zeka ka punuar me ekipet e moshave në Itali, ku edhe është licencuar si trajner futbolli përkrah emrave të njohur.

Por, edhe pse Teuta mbetet pista kryesore për një lëvizje të mundshme të Zekës, burimet pranë tij bëjnë të ditur se ka edhe një ofertë tjetër. Nuk është zyrtare, por thuhet se është Flamurtari. Oferta këto, që gjatë ditëve në vazhdim pritet të bëhen publike nga vetë Zeka, i cili, me sa duket, ka vendosur t’i japë fund bashkëpunimit me kuqeblutë. Një veprim ky që komentohet në forma të ndryshme në qytetin verior. Zeka njihet si një njeri i përkushtuar pas futbollit dhe sidomos pas qytetit të tij të lindjes, ku krahas ekipit të parë, ka kontribuuar jo pak edhe te sektori i akademisë apo te Vllaznia B, që i kurorëzuan me sukses kampionatet e tyre. Ndaj një lëvizje e tillë, të paktën për aq sa komentohet në opinionin sportiv, nuk kuptohet fort mirë, nëse ka të bëjë me ambiciet e tij për një karrierë më të zgjeruar apo me ndonjë ambicie tjetër për të drejtuar Vlalzninë, pra për të zëvendësuar Cungun, nëse do të largohej. Emri i tij është lakuar jo pak, siç janë lakuar edhe një sërë emrash të njohur ish-futbollistësh shkodranë për pasuesin e mundshëm të Cungut.

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *