Drejtori sportiv i Milanit, Leonardo, pas humbjes 2-1 kundër Juventusit, u shfaq i pakënaqur me arbitrin e ndeshjes dhe numëroi disa episode. Braziliani u shpreh se gjykimi i ndeshjes nuk ishte aspak korrekt. Gjithsesi nuk e zbulon komunikimin që pati me arbitrin e ndeshjes.
“Nuk do ta them atë që i thashë Fabrit, por për një arbitër është e rëndësishme të shohë mirë dhe të jetë i sigurt në vendimet e tij, çka nuk shoh ta ketë bërë. Jam i zhgënjyer, pasi u treguam të guximshëm në lojë. I komplimentoj djemtë.
Qëndrimi i arbitrit ishte i papërshtatshëm. Bëri një bisedë të pakuptimtë me Çalhanoglu. Këto raste e acarojnë lojtarin dhe skuadrën. Gjyqtari është aty për të qetësuar dhe jo për të nxitur nervozizëm. Gjithsesi nuk jam këtu për t’u justifikuar”, deklaron braziliani.
Më pas Leonardo konfirmon se ka besim te trajneri Gatuzo dhe pohon se ka pasur kontakte më Juventusin për të marrë Moise Ken: “Kam folur shpesh me Gatuzon. Ne flasim hapur me njëri-tjetrin. Kemi zgjedhur të vazhdojmë me të. Është e vërtetë se në janar kemi biseduar me Juventusin për Ken”.