Strugani rikthehet në Durrës, aty ku ka kontribuar dhe dy sezone më parë
Nijas Lena dhe Kukësi mund të konsiderohen zyrtarisht të “divorcuar”. Mesfushori shtatshkurtër do e vijojë karrierën e tij te Teuta, ku është aktivizuar dhe në të shkuarën. Edhe pse Kukësi këmbëngulte që 31-vjeçari është pjesë e tyre dhe për një sezon, klubi durrsak ka negociuar me verilindorët dhe ka gjetur gjuhën e përbashkët.
Lojtari do të marrë së shpejti lejekalimin nga Kukësi dhe do të vihet nën urdhrat e trajnerit Gugash Magani. Një përforcim me shumë vlerë për “djemtë e detit”, që tashmë do i besojnë çelësat e mesfushës një lojtari me shumë eksperiencë.
PËRGATITJET
Pas fazës përgatitore të zhvilluar në Itali, Teuta është zhvendosur në Durrës. Skuadra do të nisë një tjetër mini-fazë në qytetin bregdetar, për të ruajtur ritmin. Normalisht do të synohet organizimi i ndonjë ndeshje miqësore. Po ashtu dhe merkato mbetet e hapur dhe nëse ndonjë element cilësor do të afrohet, atëherë do e kishte derën e hapur. Teuta do të synojë që në sezonin e ardhshëm do të synojë të përsërisë edicionin e dy viteve më parë, ku me Maganin në krye arriti që të siguronte kupat e Europës.