Mesfushori shqiptar Klaus Gjasula po zhvillon një sezon të shkëlqyer te skuadra e Paderbornit në Bundesligën e dytë.
Kur kanë mbetur vetëm dy ndeshje nga përfundimi i kampionatit, klubi modest ndodhet në vendin e dytë dhe kalimi në elitën e futbollit gjerman është më pranë se kurrë. Diçka kjo e paimagjinueshme në fillim të sezonit, ku objektivi i Paderbornit të sapongjitur ishte mbijetesa në Bundesligën e dytë.
Gjasula ka kontribuar për skuadrën e tij në 22 takime. Ndoshta lind me të drejtë pyetja: A meriton dhe ky vëmendjen e kombëtares?
Disavantazhi i parë është mosha. Futbollisti i lindur në Tiranë është 29 vjeç, por në të shkuarën kemi një rast të ngjashëm që vjen nga epoka De Biazi.
Bëhet fjalë për mesfushorin Burim Kukelin, i cili debutoi me kombëtaren shqiptare në moshën 30-vjeçare. Mesfushori i rritur në Zvicër ishte një ndër lojtarët kyç të kombëtares që shkoi në “Euro 2016”. I njëjti standard mund të përdoret për Gjasulën, sidomos nëse vitin tjetër luan në Bundesligën e parë gjermane.