Legjenda e futbollit vlonjat për Superioren, Vasil Ruci: Titulli, fjalëkryq me dy zgjidhje

Pas një karriere të suksesshme si futbollist, Vasil Ruci nuk është ngjitur i tillë edhe në trajning, por e ruan madhështinë e tij me analiza e komente, të cilat veçohen jo vetëm për stilin, por edhe për përmbajtjen e tyre profesionale. Edhe për SportEkspres.com, legjenda e futbollit vlonjat deklaron se  Kategoria Superiore ka dy skuadra të dënuara dhe këtu nuk mund të mendohet për futboll elitar.

Për 17 sezone rresht, Vasil Ruci ka qenë sulmuesi kryesor i Flamurtarit të Vlorës (1976-1993), ndërkohë që në sezonin 1990-1991 është shpallur kampion me këtë skuadër të madhe. Golat e tij janë të shumtë, por veçohet ai ndaj Barcelonës në vitin 1986. Në dy sezone ai ka qenë kryegolashënues i kampionatit, duke mbetur një nga më të mëdhenjtë e futbollit vlonjat dhe atij shqiptar ndër vite.

INTERVISTOI: AGRON KAJA

Në këtë mot të rënduar nga reshje shiu e bore, mundësohet marrja e ngarkesave stërvitore?
-Kjo varet shumë nga terrenet ku përgatiten skuadrat, por edhe nga programet stërvitore të trajnerëve. Por unë e shoh ndryshe këtë ecuri të Kategorisë Superiore në këtë sezon, pasi ka shumë ekipe me probleme dhe dy skuadra të dënuara, ndaj këtu nuk mund të mendohet për futboll elitar.

Kjo javë ka kulmuar përgatitjet e skuadrave edhe me miqësore, mund të tregohen vlerat reale të skuadrave pas një jave përgatitje?
-Që në fillimin e kësaj minifaze përgatitore nuk mendohet se skuadrat kanë arritur gjendjen e tyre më të mirë dhe ndeshjet miqësore evidentojnë dukuri që trajnerët i sistemojnë në procesin stërvitor. Në miqësore bëhen kolaudime të vogla në skuadër, më shumë për të afruarit e rinj në merkato.

Po situatën te skuadra e Flamurtarit, si e mendoni për dy fazat e tjera të Superiores?
-Nuk besoj se Flamurtari është keq, sikundër lexoj e dëgjoj në media. Mbështetja që i jep skuadrës administratori Sinan Idrizi, besoj se do ta mbajë skuadrën në këto nivele si në dy fazat e para, por unë e shoh më pranë zonës së Europës në renditjen e Superiores.

Nga skuadrat e Superiores në këtë sezon, mendoni se Luftëtari po rrezikon shumë pas vendimit të UEFA-s?
-Dyshimet që ka UEFA nuk besoj se janë pa gjë dhe së bashku me Skënderbeun bëhen dy skuadra me probleme në Kategorinë Superiore. Kjo situatë vjen nga mosprivatizimi i klubeve tona të futbollit dhe Liga Profesioniste që u zyrtarizua muajin e kaluar nuk bind shumë.

Cilat nga skuadrat e Kategorisë Superiore i veçoni për përgatitje më të mira në këtë periudhë dimërore?
-Përgatitjet e tregojnë vetë situatën dhe unë besoj se Partizani me Kukësin në Antalia të Turqisë dhe Teuta këtu në Shqipëri janë më aktivë. Ata po bëjnë përgatitje me standarde,  duke zhvilluar edhe miqësore me skuadra të Superligës turke. Përgatitjet e tyre i veçojnë nga skuadrat e tjera.

Gjysma e dytë e këtij sezoni të Superiores do të nisë me ndeshjet e 1/8-ve të Kupës së Shqipërisë, i ndihmojnë këto për kolaudim më të mirë të skuadrave drejt kampionatit?
-Kupa ndihmon, por kolaudimi i skuadrave normalisht duhet të jetë bërë para këtyre ndeshjeve. Sepse edhe ky është një trofe që synohet nga të gjitha skuadrat, por edhe një javë më shumë përgatitje për kampionatin, skuadrave të Superiores ju vlen për të bërë përshtatjen e plotë.

Cili do të ishte parashikimi juaj për verdiktet e këtij kampionati të Kategorisë Superiore?
-Partizani është më i gatshëm për titullin kampion, por Kukësi duhet skuadër më e kompletuar. Teuta do të jetë si një “nëndetëse” pas tyre, ndërsa Laçi e Flamurtari synojnë Europën. Te skuadrat për mbijetesë, veç Kastriotit të rrezikuar, të tjerat do të varen shumë nga merkato e financat.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *