Pak nga pak talentet shqiptare po shpërndahen në gjithë Europën dhe tashmë edhe futbolli spanjoll nuk është më tokë e pashkelur.
Keidi Bare shkoi tek Atletiko, prej ku është larguar këtë verë, ndërsa Armando Sadiku prej janarit është pjesë e Levantes. Megjithatë, ajo që bie në sy është prania e tre talenteve shqiptare te Leganes, klub i La Ligës, maja e futbollit spanjoll.
Verën e shkuar Elvi Berisha u transferua nga Tirana në Spanjë për 90.000 euro, ndërsa në të njëjtën periudhë edhe mesfushori 17-vjeçar Kleandro Lleshi kaloi nga të rinjtë e Belenenses te Leganes.
Tashmë pjesë e klubit spanjoll është bërë edhe Dean Liço, talenti korçar i Shqipërisë U-17.
Klubi spanjoll e ka arritur prej kohësh marrëveshjen me futbollistin dhe familjen e tij, ndërsa tani që mesfushori ka mbushur 18 vjeç ka nisur edhe aventura spanjolle, pas një periudhe stërvitore me ekipin e parë të Skënderbeut.
Një lajm i shkëlqyer për gjithë futbollin tonë, sepse pak nga pak talentet tona po bien në sy dhe ndokush prej tyre do t’ia dalë mbanë.
Tre shqiptarë tek ekipi B i Leganesit, që tashmë është bërë ekip “shqiptar” dhe urojmë që të imitohet nga klube të tjerë.