Latifi me valixhet gati, një hap larg Grasshopersit

Zbulohet skuadra që është pranë akordit me Liridon Latifin. Zviceranët kanë një vit që interesohen dhe pritet vetëm “OK”-i i klubit Skënderbeu

Fatjon Rupi

Liridon Latifi është pranë nënshkrimit me zviceranët e Grasshopers. Ky është një lajmi më i fundit që ka zbuluar dje në mbrëmje gazeta “Sport Ekspres” dhe kanë qenë vetë drejtuesit e klubit zviceran që kanë bërë të ditur për gazetën se janë pranë këtij nënshkrimi. Grasshopers është një emër i ri që del në skenë për Latifin, pavarësisht se ka 12 muaj që interesohet për mesfushorin, madje është klubi që ka më shumë mundësi të përfitojë shërbimet e “yllit” të Skënderbeut. Këtë skuadër drejtuesit e klubit korçar e kanë mbajtur të fshehur për muaj e muaj me radhë dhe me të drejtë, pasi për Latifin janë shfaqur shumë emra ekipesh. Korçarët e kanë thënë qartë, që Latifi do të shkojë tek ajo skuadër e cila jep edhe ofertën financiare më të majme, tashmë me Grasshopersin që është pranë nënshkrimit me mesfushorin.

SHIFRAT – Nuk jepen të dhëna në lidhje me shumën që do të kryhet ky transferim, por padiskutim që korçarët pretendojnë mbi 1 milion euro dhe kjo shumë është pranuar edhe nga drejtuesit e klubit zviceran. Në disa ndeshje të Skënderbeut mësohet se kanë qenë edhe drejtuesit e këtij klubi që e kanë ndjekur mesfushorin e Kombëtares, i cili ka marrë edhe pëlqimin e tyre. Gjithsesi, në ditët në vazhdim pritet edhe zyrtarizimi i këtij kalimi dhe burime pranë klubit korçar e quajnë në më shumë se 90% të mundshëm këtë transferim. Të njëjta burime, që dje e konfirmuan lajmin për gazetën, kanë bërë të ditur se ka qenë e vërtetë gjatë kësaj periudhe që për Latifin ka pasur interesim edhe nga disa skuadra në Belgjikë, Turqi dhe Rusi, por duket se më të zotët kanë dalë zviceranët e Grasshopers. E rëndësishme është që lajmin për gazetën të kalimit të Latifit në Zvicër e kanë dhënë burime pranë klubit zviceran dhe kjo të bën të besosh se kalimi është më pranë se kurrë më parë. Latifi tashmë ka një eksperiencë të madhe, sidomos në ndeshjet evropiane. Ai ka disa kohë që është edhe pjesë e kombëtares kuqezi dhe kjo ka bërë që klubi nga Zyrihu të bindet për vlerat e këtij futbollisti.

SHITJA – Ndërkohë që Liridon Latifi është pranë nënshkrimit me Grasshopers, në klubin Skënderbeu janë të bindur që kontrata mund të firmoset pas pak ditësh, por Latifi do të qëndrojë të paktën në dy turet e para të Europa League, pasi është shumë i nevojshëm për Skënderbeun. Nëse korçarët kalojnë edhe më tej, padiskutim që Takaj do të arrijë ta bindë klubin zviceran që të luajë edhe ndonjë tur tjetër, por këto janë vetëm hamendësime. Shitja e Latifit do të sjellë të ardhura të rëndësishme për klubin, ndërkohë që kujtojmë se shitja më e shtrenjtë nga Skënderbeu ka qenë ajo e vitit të kaluar, kur nigeriani Peter Olajinka u transferua për 1.1 milion euro të Genti në Belgjikë. Tani mbetet për t’u parë nëse Latifi do ta thyejë këtë rekord shitjeje. Përfaqësuesit e Grasshopers pritet që gjatë javës së ardhshme, konkretisht në datën 29 qershor, të jenë në tribunën e stadiumit “Skënderbeu” për të parë edhe njëherë formën e kosovarit.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *