Shënoi dy gola, por nuk mjaftuan. Amadu Latif, sulmuesi i “Djemve të Detit”, në fund të sfidës me Kamzën është parë “i shkatërruar”. Shumë pranë një fitoreje, që kthehet barazim në sekondën e fundit, komplikon jo pak qëllimin e durrsakëve për të qëndruar në Kategorinë Superiore. Sigurisht mund të kish qenë edhe më keq, nëse ganezi nuk do të kishte barazuar rezultatin në minutën e 94-rt të takimit.
-Dy gola, por që nuk mjaftojnë për të fituar…
Jam i zhgënjyer. Detyra ime është të shënoj, por e rëndësishme është, që skuadra të fitojë. Kjo është dita ime më e trishtë si futbollist. Nuk ka problem nëse nuk shënoj unë dhe fiton skuadra. Fatkeqësi është të shënoj dy herë dhe ekipi të mos fitojë.
A mendon se Teuta rrezikon rënien pas këtij barazimi?
Jam i bindur se Teuta do të mbijetojë dhe skuadra do të rikthehet e fortë pas këtij rezultati. Duhet të shohim përpara edhe pas këtij barazimi që nuk është rezultat dhe aq pozitiv.
Është Moçka i vetmi rival i juaji?
Nëse Moçka vjen dhe shënon është mirë për futbollin. Futbolli nuk është sport individual, por është sport kolektiv. Nuk ka rëndësi kush shënon, si unë, Çyrbja apo Moçka.