Kur ka kaluar gjysma e sezonit 2018/19, mund të flasim për “Modelin Teuta”. Trajner i ri: Bledi Shkëmbi, njeri shumë ambicioz dhe që nuk bën kompromise, aq sa në një moment kur skuadra nuk po ecte si donte ai, ofroi edhe dorëheqjen.
Skuadër e re: vetëm 3 lojtarë mbi 30 vjeç, aq sa duhen në çdo ekip që synon të ketë një grup të vogël liderësh, si dhe thuajse 20 lojtarë “under 25”.
Pikë, gola, lojë e bukur dhe më në fund edhe tifozë, sepse ata po kthehen në Niko Dovana dhe kur ndodh kjo, Teuta po bën diçka vërtet serioze.
Lojtarë si Kallaku apo Sidibe janë thesare për të ardhmen, nëse klubi i menaxhon si duhet, por ndërkohë thesari i madh është Latif Amadu.
Kur Teuta e mori në fillim të sezonit 2017/2018, pakkush e vuri re, sepse si zakonisht shohim merkaton e Skënderbeut, Partizanit apo milionat e Flamurtarit.
Megjithatë, djaloshi nga Gana pak nga pak u bë pikë referimi te skuadra durrsake dhe ishte një nga ata që e shpëtoi, praktikisht, sepse shënoi 9 gola dhe bënte gjithçka, sulmues i vetëm përpara, sulmues krahu, edhe mesfushor kur ishte nevoja.
Këtë vit Shkëmbi vendosi ta kthente në një pikë referimi përpara, në sulm, duke kërkuar vetëm gola nga Latif, i cili shënoi sërish 9 gola, një gol çdo dy ndeshje, mesatare që në Shqipëri është shumë e lartë.
Jo rastësisht, trajneri korçar shpesh e ka lavdëruar publikisht sulmuesin e tij, duke vlerësuar lojën, përveç golave, sepse sulmues të tillë nuk është se kemi shumë, përkundrazi, këtë sezon në Superiore askush nuk është në nivelin e Latif.
Teuta e shiti në Bjellorusi, arkëtoi rreth 150.000 euro dhe krejt papritur në Durrës e kanë kuptuar se milionat mund të fitohen edhe nga lojtarët. Çyrbja verën e shkuar, Latif tani, ndoshta Kallaku verën e ardhshme. Buxheti ndërtohet edhe kështu, pa qenë nevoja të sigurohet kualifikim në Europë me çdo kusht. Ndoshta është modeli i së ardhmes, që duhet ta ndjekin edhe klubet e tjera në Superiore.