Rraman Hallaçi, pas tetë vitesh te Kukësi, u largua dhe me vete ka marrë shumë kujtime të bukura. Do kishte dashur të kishte ikur me një shtrëngim duarsh, por kjo nuk ka ndodhur. Hallaçi, i ftuar në emisionin “Rubrika Sportive” në RTSH, tregoi versionin e tij të ndarjes me Kukësin.
“Kam takuar presidentin dhe mendova t’i kërkoj që t’i stërvit edhe një ekip moshash gjatë kohës që punoj te Kukësi. Kategorikisht më tha ‘jo’. Pastaj lindi ideja për ekipin B. Në parim edhe mund të kemi rënë dakord, por kjo u keqkuptua. Nuk kishim firmosur asgjë. Pasi e analizova situatën dhe fola me njerëz të afërm, më thanë që ajo lëvizje mund të ishte një hap pas. I dërgova një mesazh presidentit dhe i thashë që nuk pranoj Kukësin B”, deklaron mes të tjerash Hallaçi.
Zëvendëstrajneri, në analizën pas ndeshjes me Skënderbeun ka pasur një bisedë me presidentin Gjici, i cili nuk e ka mirëpritur praninë e tij në mbledhje. “Bëmë analizë pas humbjes me Korçën. Më tha pse ke ardhur këtu dhe i tash se kam ardhur se më kanë thënë për mbledhje. Sa duket e kishte keqkuptuar që kisha nisur te Kukësi B. Mendova se do më sqaronin më pas, por nuk ndodhi. Lajmërova se do të largohem, pasi nuk e pranoj Kukësin B. Kur punon tetë vite së bashku duhen mbyllur gjërat më mirë”, shtoi Hallaçi.
Ish-kapiteni, i pyetur mbi shkaqet e problematikave te Kukësi, deklaron se ndryshimi i shpeshte i trajnerëve nuk i bën mirë ekipit. “Është e pafalshme që Kukësi sërish vazhdon të ndryshojë trajnerët. Dolëm kampionë me një trajner. Humb një ndeshje, thuhet se e ka fajin trajneri”, u shpreh Hallaçi në emision.