Largimi ilegal, kërcënimet me vdekje dhe ofertat, Tare: Zgjodha me zemër, Lotito “i çmendur”!

Në fund të sezonit 2007-2008, Igli Tare u fut në zyrat e Lotitos, presidentit të Lacios, për të rinovuar dhe për dy vite kontratën si futbollist, ndërsa doli nga zyra si drejtori sportiv i ekipit kryeqytetas. Një gjë e tillë befasoi shumëkënd, midis tyre dhe vetë sulmuesin shqiptar. Tare ishte 33 vjeç, në fillim u emërua menaxher i ekipit, kreu kurset e nevojshme dhe një vit më vonë u bë zyrtarisht drejtori sportiv i Lacios.

Fillimi ishte i vështirë, por biondi punoi fort, krijoi sistemin dhe ekipin e tij të punës dhe filloi t’i surprizonte të gjithë. Inteligjencë e madhe në zbulimin e talenteve dhe aftësi unike për të vepruar shpejt dhe mbyllur marrëveshje të rëndësishme.

Klose, Hernanes, Felipe Anderson, Litshtajner, Lukas Bilja, Keita Balde, De Vrij, Strakosha, Luis Alberto, Çiro Imobile dhe Sergej Milinkoviç-Saviç janë disa nga emrat e sjellë nga Tare te Lacio. Blerja të lira dhe shitje të shtrenjta, puna e Tares bëhej çdo ditë e më mirë, ndërsa sezonin e kaluar u shpall drejtori më i mirë sportiv në Itali.

Tare ka dhënë një prononcim të gjatë për Xhanluka Di Marzion, duke nisur nga braktisja e Shqipërisë dhe udhëtimi ilegal drejt Gjermanisë. Vuajtjet e fillimit, propozimi i çmendur i Lotitos, aventura te Lacio, kërcënimet e tifozëve, ofertat e shumta nga klube të mëdha dhe zgjedhja me zemër për të vazhduar me Lotiton dhe Lacion.

STILI I PUNËS – “Zakonisht dërgoj ish-futbollistë me të cilët kam luajtur për të ndjekur lojtarë të ndryshëm. Kam besim tek ata, sepse e dinë shumë mirë se çfarë është e rëndësishme dhe çfarë kërkoj te një futbollist. Fiziku, teknika dhe gjuha e trupit janë thelbësore në fushë dhe të bëjnë të kuptosh karakterin e një futbollisti. Ka shumë detaje të vogla që bëjnë diferencën.”

LARGIMI NGA SHQIPËRIA – “Është e vërtetë që u largova nga Shqipëria dhe shkova në Gjermani pa dokumente. Nuk më vjen turp për një gjë të tillë. Pas gjithë kësaj aventure kisha një ëndërr për të realizuar dhe jam shumë krenar për rrugën që kam përshkruar. Mendoj se jam një shembull për shumë të rinj, të cilët mund të bëjnë të njëjtën gjë, siç bëra unë në atë periudhë.”

UDHËTIMI DREJT GJERMANISË – “Ishte një udhëtim midis frikës, vështirësive dhe pyetjeve që më kalonin në kokë. Isha i vetëm dhe kisha vetëm një pikë referimi, që do të më ndihmonte nëse arrija të futesha në Gjermani. Tani duket si një skenë filmi dhe në atë periudhë ishte shumë e rrezikshme. Duhet t’i besoja trafikantëve, të cilët bënin kalimin nga Çekia për në Gjermani. Vendosa të nisesha dhe asgjë nuk më trembte.”

GJERMANIA – “Sapo mbërrita fillova t’i kërkoja skuadrave për të kryer një provë. Një ditë më erdhi ftesa e Luduigshafen, ekipi me të cilin luaja. Ata më propozuan të stërvitesha me ekipin e parë. Duke mos qenë një ekip me situatë të mirë financiare më ofruan këtë punë. Një ditë një shok i skuadrës po punonte me motorsharrë. Nuk e kishte mendjen dhe më goditi në këmbë. Ishte një moment i tmerrshëm, por isha me shumë fat, sepse prerja ishte vetëm 3 mm larg dëmtimit të kockës.”

LOTITO – “Kur Lotito më ofroi detyrën e drejtorit sportiv dhe më kërkoi të pranoja aventurën mendova: ‘ky është i çmendur’. Unë dëshiroja të vazhdoja si lojtar dhe kisha një akord në parim për të rinovuar për dy vite (1+1).”

BASHKËPUNIMI – “Në fillim të udhëtimit tim ishim gjithmonë bashkë. Vit pas viti fillova të kuptoj aftësitë e mia, duke filluar të merrem vetëm me zgjedhjen e lojtarëve dhe tratativat me ta. Kur ka vështirësi në aspektin ekonomik, ndërhyrja e Lotitos është thelbësore për zgjidhjen e problemeve.”

LARGIMI NGA LACIO? – “Sinqerisht që po, e kam menduar një gjë të tillë. Ka patur momente kur e kam marrë parasysh këtë opsion, sidomos për shkak të familjes. Nëse do të ishte për mua, nuk do të kisha patur probleme për të vazhduar përpara, por problemi është që kemi marrë kërcënime me vdekje. Janë kërcënuar familjarët e mi, gruaja, fëmijët, gjëra që, me të vërtetë, nuk mund të tregohen. Kanë qenë momente kur kam menduar gjatë nëse duhet të vazhdoja, apo të dorëzohesha. Por, brenda meje, gjithmonë kam thënë që nuk duhet të lejoja asnjë të ‘fitonte’, sepse kam punuar gjithmonë me zemër për klubin dhe isha i bindur që pas njëfarë kohe do të dilte në pah vlera e kësaj pune. Falë zotit kështu ka ndodhur, por ka patur momente që kam ndjerë frikë për familjen time.”

RIKTHIMI NË SHQIPËRI – “Jo nuk e kam menduar për veten time, por për familjen dhe fëmijët, sepse vitet kalojnë dhe ata po rriten. Në veçanti e mendova në periudhën kur shitëm Hernanesin. Ishte një moment i keq, që unë e mbaj brenda vetes time si një eksperiencë shumë e keqe. Pas atij momenti, një pjesë e imja vdiq sa i përket mënyrës së përjetimit të futbollit. Aty preka pjesën më të vështirë të futbollit.”

JANARI – “Kemi një numër të madh lojtarësh, kështu që mund të bëjmë merkato vetëm në dalje, duke larguar ndonjë lojtar.”

ÇFARË NUK KANË KUPTUAR TIFOZËT AKOMA NGA TARE? – “Nuk e di, nuk e di se çfarë nuk mund të kenë kuptuar. Në vitet e fundit, kudo që shkoj në qytet më njohin, por futbolli është një punë ku llogaritet shumë e tashmja. Unë përpiqem ta përjetoj në këtë mënyrë, jetoj momentin dhe tentoj të përfshihem shumë me klubin. Zgjedhja për të rinovuar kontratën për katër vite me Lacion, pavarësisht kërkesave tunduese që kisha nga skuadra të rëndësishme, edhe në nivel botëror, më ka bërë të kuptoj që ky klub përfaqëson diçka shumë të rëndësishme për mua.”

OFERTAT – “Po, kam marrë oferta të rëndësishme, edhe nga klube të mëdha italiane. Qëndrova dhe ishte një zgjedhje besimi. Kur vijnë këto momente kupton realisht se çfarë do të thotë e tashmja dhe ku je. Zgjodha me zemër dhe zemra më tha të qëndroja te Lacio. Çdo zgjedhje që kam bërë në karrierën time e kam bërë duke dëgjuar zemrën. Nuk më intereson pjesa ekonomike dhe jam krenar për zgjedhjen e bërë.”

 

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *