Largimi i Lopeteguit, Karvahal i del kundër presidentit!

Reali i Madridit nuk po kalon një sezon të mirë aktualisht dhe para dy javësh shkarkoi nga drejtimi i tyre, Hulen Lopeteguin. Lidhur me çështjen e trajnerit, ka folur mbrojtësi Dani Karvahal. Spanjolli ka folur për “TVE” dhe ka zbuluar se Lopetegui është trajneri më i mirë që ai ka pasur në karrierën e tij. Gjithashtu, 26-vjeçari ka folur dhe për formën e keqe që po kalon ekipi i tij dhe ka theksuar se Reali do të rikthehet.

“Për mua, ka qenë trajneri më i mirë që kam pasur. Fatkeqësisht, i ka munguar fati, që do të ishte i nevojshëm për të vazhduar të ishte në krye të klubit tonë. Mënyra e tij se si e sheh futbollin, se si ai e përgatit grupin, se si qëndron me lojtarët, të gjitha këto më bëjnë të mendoj që është trajneri më i mirë që kam pasur”.

“E thoja para se të vinte në Madrid, vazhdoj ta them edhe tani që ka ikur, që nuk ka asnjë trajner tjetër që e bën punën më mirë se ai. Nuk po kalojmë momentin tonë më të mirë, por Madridi gjithmonë kthehet. Sezonin e kaluar na kritikuan nga të gjitha anët dhe në përfundim fituam Championsin”, përfundoi mbrojtësi i Realit.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *