Toronto Raptors nuk ka “mëshirë” për Los Angeles Lakers. Kanadezët fituan 111-98 dhe e treguan forcën që në fillim, duke shënuar në gjysmën e parë të lojës 11 pikë më shumë. Reagimi i Lakers në periodën e tretë nuk mjaftoi, pasi Raptors e shtuan një marsh në periodën e fundit dhe siguruan fitoren e 49-të sezonale.
LeBron James shënoi 29 pikë, por nuk pati mbështetjen e duhur nga pjesa tjetër e skuadrës. Kawhi Leonard ishte shënuesi më i mirë për vendasit, pasi realizoi 25 pikë. Norman Powell shënoi gjithashtu një numër të konsiderueshëm pikësh, 20.
Denver Nuggets i ka hequr fitoren nga duart teksanëve të Dallas Maverics, që tre periodat e para i mbyllën në epërsi të lehtë. Në fund Nuggets shënuan 11 pikë më shumë dhe përmbysën gjithçka. Luka Donçiç (24 pikë, 9 asiste, 11 rikuperime) doli me kokën ulur në fund, ndërkohë që “ylli” i mbrëmjes ishte Paul Millsap me 33 pikë të shënuara.
As Paul George me 36, as Russell Westbrook me “triple-double” – 19 pikë, 11 asiste, 14 rikuperime – nuk i kanë mjaftuar Oklahoma City Thunder në sfidën me Indiana Pacers, që e kanë humbur me rezultatin e ngushtë 108-106. Domantas Sabonis (26 pikë) dhe Bojan Bogdanoviç (23 pikë) ishin më të mirët për Pacers.
Kyrie Irving ka shpërthyer në fitoren që Boston Celtics mori kundër Sacramento Kings me shifrat 126-120. Ai regjistroi “triple-double”, pasi shënoi 31 pikë, dha 12 asiste e rikuperoi 10 topa. Buddy Hield i Kings spikati gjithashtu, pasi realizoi 34 pikë. Festë edhe për Utah Jazz, që kaloi me rezultatin 120-100 Minnesota Timberwolves.
Indiana Pacers-Oklahoma City Thunder 108-106
Orlando Magic-Cleveland Cavaliers 120-91
Boston Celtics-Sacramento Kings 126-120
Toronto Raptors-Los Angeles Lakers 111-98
Utah Jazz-Minnesota Timberwolves 120-100
Denver Nuggets-Dallas Mavericks 100-99