Lajmi për fund karriere, tani flet Agolli

“Ansi Agolli po mendon ta mbyllë karrierën në fund të sezonit. Për këtë arsye, sezoni aktual do të jetë i fundit për të te Karabaku“, shkruhej paraditen e sotme në një faqe tifozësh të Karabakut në Facebook. Një faqe e ngjashme me atë zyrtare, edhe për nga emërtimi, ndaj u krijua ideja se ishte një komunikim i klubit apo i vetë mbrojtësit shqiptar.

Megjithatë, legjenda e Karabakut sqaron të gjithë dhe mohon spekulimet, duke lënë gjithçka të hapur për të ardhmen.

“SportEkspres.com” ka kontaktuar mbrojtësin 36-vjeçar, i cili ka mohuar lajmin e përhapur ditën e sotme: “Ajo është faqe tifozësh, nuk është faqja zyrtare e klubit. Tifozët japin mendime, apo komentojnë zëra merkatoje, por gjithçka është në rangun e bisedave mes tifozëve. E vërteta është që nuk kam vendosur ende, jemi në kulmin e sezonit, në garë të egër për titull dhe nuk ka kuptim që të merremi me çështje të tilla në këtë moment“.

Futbollisti i famshëm i kombëtares sonë, me të cilën luan prej më shumë se një dekade, është pjesë e Karabak që prej vitit 2010, ka fituar 5 tituj kampionë në Azerbajxhan dhe ka qenë gjithnjë lojtar kyç, në fushë e jashtë saj.

Këtë sezon aktivizimi i tij ka qenë më “i llogaritur”, për shkak të kalendarit shumë të ngjeshur, por sërish Agolli ka luajtur 13 ndeshje në të gjitha kompeticionet dhe mbetet një lider te kampionët e Azerbajxhanit.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *