Kombëtarja ka zbritur në fushë dhe ka zhvillime sa i takon listës së lojtarëve të grumbulluar. Kështu, për shkaqe dëmtimesh kanë mbetur jashtë Andi Lila dhe Egzon Binaku. Trajneri Kristian Panuçi priste të bashkoheshin me ekipin edhe Kristal Abazaj, Naser Aliji dhe Taulant Xhaka.
Këta tre të fundit kanë dalë sot në stërvitje, por më vonë se pjesa tjetër e ekipit. Ndërkohë, nisur nga gjendja e krijuar, Panuçi ka vendosur të ftojë edhe tre lojtarë të tjerë raporton Superport. Njëri luan në prapavijë dhe ai është Kastriot Dermaku.
Gjithashtu listës i janë shtuar mesfushorët Keidi Bare dhe Ylber Ramadani. Kështu grupi i kombëtares bëhet më i plotë. Më parë është zëvendësuar edhe Thomas Strakosha dhe në vend të tij është ftuar Gentian Selmani i Laçit.
Shqetësimi i vetëm për momentin është Bekim Balaj. Shkodrani ka pasur një problem muskulor dhe besohet se do të jetë gati për ndeshjen e së premtes me Turqinë. Sigurisht do të jetë nën vëzhgimin e mjekëve dhe do të zhvillojë terapi intensive.