Gjithçka është kryer në fshehtësi dhe Barcelona ka punuar shpejt, duke përforcuar ekipin me një tjetër lojtar. Katalanasit kanë arritur akordin me Sasuolon për shërbimet e Kevin Prins Boateng, i cili do të luajë në një ekip me Mesin.
Sipas “Gianlucadimarzio”, ganezi do të kalojë në huazim te Barcelona për shumën e 2 milionë eurove, me të drejtë blerje në fund të sezonit për 8 milionë euro të tjera. Operacioni i 31-vjeçarit shkon në 10 milionë euro në total.
Boateng ka zhvilluar këtë sezon me Sasuolon 13 ndeshje në kampionat dhe ka shënuar 4 gola, ndërsa numëron dhe dy ndeshje e një gol të shënuar në kupë. Ai është një lojtar që pëlqehej nga trajneri Valverde dhe mund të luajë disa role, si në mesfushë dhe në repartin e sulmit.
Bëhet fjalë për një rikthim të Boatengut në La Liga, pasi gjatë sezonit 2016/2017 ishte pjesë e Las Palmasit, ku në 28 ndeshje shënoi 10 gola dhe dhuroi 5 asiste.