Tomas Strakosha ka treguar edhe këtë sezon se është një nga portierët më të mirë në Itali dhe jo vetëm. 24-vjeçari ka shfaqur mjaft siguri dhe e ka bindur Lacion për ta mbështetur të ardhmen rreth tij. Ai në 38 ndeshje që ka zhvilluar në këtë sezon e ka mbajtur 10 herë portën të pastër. Kujtojmë gjithashtu penalltitë e pritura ndaj Interit në kupë, që i dhanë kualifikimin Lacios.
Sipas “Tutto Mercato Web”, portieri i kombëtares sonë ka rrëmbyer simpatinë e presidentit Lotito me cilësitë e tij. Lacio e do atë për shumë vite në mes të katërkëndëshit, por cilësitë e tij nuk kanë kaluar pa u vënë re nga klubet e tjera dhe është e pashmangshme të mos ketë oferta për të.
Megjithëse kontrata e tij skadon në vitin 2022. Interes për të kanë shfaqur kryesisht klube nga Anglia. Gjithsesi një pjesë e madhe e së ardhmes së tij varet nga objektivi Champions. Nëse ai do të dëshironte të largohej, kjo do të ndoshte për jo mëpak se 40 milionë euro.