Ashtu si ishte paralajmëruar pej ditësh, Lacio ka kompletuar tashmë blerjen e dy futbollistëve mjaft cilësorë, mesfushorit Milan Badelj dhe sulmuesit Hoakin Korrea.
Kroati u paraqit në Romë dje pasdite, ndërsa argjentinasi zbarkoi në kryeqytet pas mesnate. Sot të dy po kryejnë kontrollet mjekësore dhe më pas do të vijnë firmat e prezantimi.
Milan Badelj kërkonte ekip, pas përfundimit të kontratës te Fiorentina, ku ishte lojtar kyç. 29-vjeçari kishte shumë oferta dhe shkëlqeu edhe në Kupën e Botës, ndërsa e ndiqte prej muajsh Milani, por kuqezinjtë kanë ndryshuar strategji dhe nuk duan lojtarë që nuk u rritet më vlera në treg, ndaj Lacio ka përfituar, duke gjetur pasuesin e Lukas Leivas, nëse veterani nuk do të preferohet në formacion sezonin e ardhshëm.
Ndërkaq, Hoakin Korrea është një anësor ofensiv nga Argjentina, 24 vjeç, me eksperiencë të konsiderueshme që tani. Futbollisti i Seviljes kalon te Lacio për 19 milionë euro, ndërkohë që 5 milionë euro të tjera Lacio do t’ia japë Sampdorias, që kishte një përqindje të kartonit. Korrea ishte titullar te Sevilja (31 ndeshje, 2 gola e 3 asiste sezonin e fundit) dhe tashmë bëhet pasardhësi i Felipe Andersonit te Lacio, detyrë shumë e vështirë, ashtu si gara për një vend në formacion me Luis Alberton, i cili sezonin e fundit ishte fantastik.